
Ministria e Bujqësisë ka shpallur tenderin për blerjen e 4,8 milionë litrave naftë që do t’u shpërndahet fermerëve në skemën e subvencionit të këtij viti. Sasia e kërkuar e karburantit kap një vlerë prej 6.5 milionë eurosh pa TVSH dhe synon t’u shpërndahet mbi 17 500 përfituesve.
Kjo skemë synon të mbulojë një pjesë të kostove të karburantit që kanë fermerët, në bazë të kulturës që ata mbjellin dhe sipërfaqes së tokës së mbjellë. Kjo me kushtin që fermerët të jenë të formalizuar, pra të kenë NIPT fermeri.
Vitin e shkuar qeveria aplikoi për herë të parë këtë skemë, duke shpërndarë 4.1 milionë litra, apo rreth 210 litra për fermer. Shpërndarja e sasisë së naftës, do të bëhet edhe këtë vit me anë të kartave elektronike që do të pajisen përfituesit, në pikat më të afërta të karburantit. (A2 Televizion)