
Në një shfaqje uniteti, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel u takuan të hënën dhe rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të nxjerrë prej recesionit më të thellë që prej Luftës së Dytë Botërore ekonomitë europiane të goditura rëndë nga pandemia.
Merkel tha se shpresonte që krerët e unionit të miratonin fondin e rimëkëmbjes në samitin e 17-18 korrikut. Dy liderët e vendeve më të fuqishme të bllokut do të përpiqen të sheshojnë mosmarrëveshjet lidhur me propozimin e bllokut për fondin prej 750 miliardë, që do të përdoret për rigjallërimin e ekonomive të shteteve si Italia dhe Spanja.
“Pritshmëritë janë të larta dhe ne e dimë shumë mirë se Europa jo domosdoshmërish është e bashkuar kur Gjermania dhe Franca bien dakord. Por kur Gjermania dhe Franca janë të përçara, unitetit I Europës nuk është I mirë”, tha Merkel.
Me më shumë se 100 mijë vdekje nga Covid-19, Bashkimi Europian është i vendosur të tregojë solidaritet pas muajsh mosmarrëveshje, që kanë minuar besimin e publikut e kanë vënë në rrezik ekzistencën e bllokut.
Macron nuk i shpëtoi dot pyetjeve lidhur me humbjen në zgjedhjet lokale të Francës, të cilat e lanë kreun e Elizesë pa një bazë të fuqishme, në prag të presidencialeve të vitit 2022. Macron tha se nuk preferonte të fliste për zgjedhjet e se ishte kundër nxjerrjes së shumë konkluzioneve kombëtare nga rezultatet e tyre. Të gjelbrit rezultuan si fituesit e mëdhenj të votimit të së dielës, duke mare ne kontroll qytete si Lion, Bordo dhe Strasburg. (A2 Televizion)