
Risia që po përcjell më kuriozitet në listën e Kombëtares të Edi Rejas është ftesa e Florian Kamberit.
Sulmuesi 24- vjeçar po kalon një moment shumë të mirë me ekipin e tij skocez, Hibernians, ku në ndeshjen e fundit dhuroi dy asiste vendimtare për fitoren e ekipit të tij.
Kamberi ka lindur në Zyrih dhe ka përfaqësuar ekipin e Shpresave zvicerane, por në një intervistë për mediat skoceze shpjegoi arsyet e zgjedhjes Shqiptare, ai që mund të aplikonte edhe për Kosovën.
“Kam qenë gjithmonë në kontakt me të tre vendet, por fillimisht kam menduar të përqendrohem tek ekipi im. Por Shqipëria ka treguar gjithmonë një interes më të fortë, më kanë marrë shumë herë në telefon, me treguan se kanë shumë besim”.
Kamberi tregon se familja e tij është entuziaste. Edhe pse me origjinë kosovare, lojtari thotë që për të dhe prindërit “nuk ka asnjë diferencë midis tyre, është thjesht një komb i ndarë në dysh. Është thjesht privilegj të përfaqësosh Shqipërinë”.
Ai shton se shpreson të aktivizohet në një nga dy ndeshjet ndaj Andorrës dhe Francës, ku për këtë të fundit thotë se “të luash kundër kampionëve të botës do të ishte maksimumi, luan kundër lojtarëve më të mirë dhe shikon ku je si nivel. Pastaj ndeshja do të luhet në stadiumin e ri, do të ketë një atmosferë fantastike”. (A2 Televizion)