
“Menjëherë pas 14 majit, grupimi i Berishës duhet të bisedojë seriozisht për mënyrën sesi do të marrë pjesë në zgjedhjet qendrore.” Kështu është shprehur deputeti demokrat Edmond Spaho i ftuar mbrëmjen e së enjtes në “Debat” në A2 CNN.
Komentet, Spaho i bëri pasi u pyet nëse grupimi në të cilin ai bën pjesë po mendon të dalë me një emër të ri, si parti e re duke marrë parasysh se prej më shumë se një viti kriza mes të djathtëve nuk duket se do të ketë një zgjidhje.
Megjithatë, deputeti demokrat theksoi se beteja për simbolet do të vijojë edhe në organet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Më pas mendoj unë, ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë seriozisht për mënyrën sesi do të marrim pjesë në zgjedhjet e 2025. Një variant mund të jetë koalicion me listë të përbashkët për të gjithë. Por, këto përcaktime bëhen në kohën e duhur, nuk mund të lihen në momentin e fundit dhe të improvizohet. Si për çështjen e mënyrës sesi do të garojmë në zgjedhjet e 2025, ashtu edhe për mënyrën e strukturimit të grupit të deputetëve që mbështetin Rithemelimin mendoj që ka vend për një debat dhe për një rikonfigurim edhe për energji të reja që t’i shërbejnë zgjedhjeve të 2025. Këtë nuk e shoh si urgjencë për sot,” deklaroi Spaho.
Deputeti demokrat theksoi se ajo pjesë e PD-së në të cilën ai bën pjesë duhet të marrë parasysh edhe që të mos mbesë jashtë proceseve që do të ndërmerren në kuadër të Reformës Zgjedhore. (A2 Televizion)