
Tentativë për të mos lejuar Rithemelimin që të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit, e ka cilësuar deputeti Edmond Spaho, vendimin e sotëm të kryekomisonerit të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, i cili njeh Lulzim Bashën kryetar të PD-së dhe i ka lënë 48 orë kohë për plotësimin e dokumentacionit. Në këto kushte, Spaho nuk sheh asnjë fije shprese për ndonjë vendim në favor të Rithemelimit. Në studion e Debatit në A2 CNN, ai tha se edhe KAS do t’i japë të drejtë dhe të regjistrojë Alibeajn në zgjedhje, ndërsa akuzoi ambasadoren amerikane në vendin tonë për presion dhe OSBE-ODIHR-in për heshtje.
“Është një skenar i qartë që nga zgjedhjet e 6 marsit të vitit të shkuar. Kush nuk e ka pritur ëhstë naiv pasi ta mbash çështjen të ngrirë për një vit rresht dhe në harkun e një jave t’i zgjidhësh të gjitha. Mos u çudisni që nga fundi i javës të mblidhet dhe KAS dhe t’i japë të drejtë Alibravës që të regjistrohet dhe Celibashi do ta regjistrojë për zgjedhjet e 14 majit. Është tentativë për të mos lënë PD të konkurrojë në zgjedhje se është rrezik për pushtetin e Ramës dhe këto manovra janë koordinuar edhe me komunitetin ndërkombëtar që ose bëjnë presion me prezencë në Gjykatën e Apelit ose rrinë gojëmbyllur siç rri OSBE-ODIHR në këtë rast. Rithemelimi do të jetë naiv nëse ka iluzione që nga ky proces do të dalë një produkt në favor të tij. Asnjë vendim nuk do të jetë në favor të Rithemelimit të gjitha do jenë në kundërshtim me ligjin, por në favor të Alibravës”.
Sipas Spahos, Rithemelimi duhet të regjistrohet sa më shpejt në koalicion me partitë e tjera parlamentare për zgjedhjet e 14 majit, ndërsa kjo periudhë 2-vjeçare, thekson ai duhet t’i shërbejë për strategjinë e konkurrimit në zgjedhjet e 2025.
“Rithemelimi duhet të mbyllë shpejt në mënyrë urgjente regjistrimin në formën e një koalicioni me partitë e tjera parlamentare ose jo dhe të fokusohet në fushatën zgjedhore. Të vazhdojmë për t’u regjistruar në përputhje me ligjin në koalicion dhe të përqendrohemi në fushatë elektorale. Alibeaj do të fusë disa kandidatë dhe të heqë edhe 200 vota dhe t’ia pamundësojë aksionin Rithemelimit deri në orën e fundit. Që të harxhosh energji në gjëra të tjera dhe jo në fushatë. Si të regjistrohem? Si të mbledh firma? Si të mobilizoj njerëzit për të mbyllur procesin e regjistrimit? . Kjo periudhë 2-vjeçare Rithemelimit duhet t’i shërbejë për të përshtatur strategjitë e saj pas 14 majit. Harrojeni që kjo histori do mbyllet në favor të Rithemelimit. Ne duhet të mendojmë seriozisht që tani si të konkurrojmë në zgjedhjet 2025 dhe si do të organizojmë aktivitetin tonë parlamentar dhe të mos konsiderohemi si deputetë të pavarur, por të na krijohen kushtet të veprojmë si një trupë e mirëorganizuar. Janë debate serioze që duhen bërë në PD dhe të marrin vendimet më të mira në interesin tonë dhe të elektoratit që na mbështet”. (A2 Televizion)