
Kina është zotuar se do t’i organizojë në mënyrën më të sigurt të mundshme Lojërat Dimërore në Pekin. Për të ndihmuar në betejën kundër infektimeve dhe për të siguruar distancimin social të atletëve dhe pjesëtarëve të delegacioneve, në fshatin olimpik do të shfrytëzohet maksimalisht teknologjia.
Një ushtri me robotë që shërbejnë janë angazhuar në Olimpiadën 2022. Surpriza më e madhe ishte për delegacionet e ekipeve pjesëmarrëse dhe mediat që zbarkuan të parët në Pekin. Një risi është ajo në mensë, ku ushqimi “zbret” nga tavani. Në vend të personelit të shërbimit, pjatat e preferuara zbresin në mënyrë mekanike nga lart. Madje, në mënyrë të padëgjuar, ushqimet si hamburgerët përgatiten në mënyrë elektronike.
Robotët në Lojërat Dimërore nuk dinë vetëm të gatuajnë, por ata mund të realizojnë me sukses edhe pije. Diku tjetër në qendrën e medias, një krah robotik është në gjendje të shërbejë koktejle. Ai mund të realizojë rreth 15 pije të ndryshme dhe i nevojiten vetëm 70 deri në 90 sekonda që të kryejë përzierjen, ta tundë dhe ta shërbejë.
Banakierët njerëz janë gjithashtu në detyrë, për të dhënë ndihmën e tyre nëse do të nevojitet, por edhe për t’i dhënë një prekje klasi pijeve. Shërbimi në dhomë rezervon gjithashtu surpriza.
Ky është një nga hotelet e fshatit olimpik në Pekin. Shërbimi mund të mos shoqërohet me buzëqeshje, por të paktën robotët në dhoma garantojnë distancimin social. Për të patur akses te ushqimi, atletët, delegacionet apo stafi i angazhuar në Olimpiadën Dimërore shfrytëzon një kod PIN.
Një tjetër atraksion në qendrën e shtypit është roboti që shërben akullore. Shijet janë nga më të thjeshtat, e deri te opsionet e shtuara, si mbushje me biskota, copëza çokollate apo shurup. Ndërkohë, për të blerë ëmbëlsira, fillimisht duhet bërë pagesa te arka. Aty merret një faturë me kod, e cila skanohet nga makineria, që të shërben ëmbëlsirën e dëshiruar. (A2 Televizion)