
Fatmir Mediu diskutoi në “Intervistën” me Merita Haklajn në A2 CNN për rezolutën e dorëzuar në Kuvend, me anë të së cilës kërkohet që qeveria shqiptare të adresojë në organizatat ndërkombëtare rolin destabilizues të Beogradit në rajon.
Sipas Mediut, Shqipëria si anëtare e NATO dhe Këshillit të Sigurisë në OKB, duhet të ndërtojë strategjitë për ta dërguar këtë çështje në tryezë që të marrë zgjidhjen e partnerëve të SHBA dhe BE.
“Në të dyja këto organizata dhe në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit pesha vjen për shkak të faktit që je anëtar me votë dhe këtu duhet të ndërtosh strategjitë me vendet që ke partneritet për të marrë mbështetje për çështje për t’i sjellë ato në tryezë diskutimesh dhe për të marrë zgjidhje. Dhe unë besoj se nëse Shqipëria do të jetë e orientuar mirë në qëllimet e saj për interesin e paqes në rajon, për të zgjidhur konfliktet në rajonin e Ballkanit do të gjejë mbështetje si nga SHBA ashtu edhe nga BE për t’i shtruar këto çështje dhe zgjidhur ato”, deklaroi Mediu. (A2 Televizion)