Roma vijon rrugën për në Tiranë

Nga A2 CNN
18 Mars 2022, 11:01 | Futboll
Roma vijon rrugën për në Tiranë

Duelet e Conference League dhuruan spektakël në fushën e blertë. Romës i mjaftoi një gol në minutën e parë të shtesës për të siguruar çerekfinalen e këtij kompeticioni. Kryeqytetasit barazuan 1-1 ndaj Vitese në Romë, kur dueli i parë kishte përfunduar 0-1 për italianët.

Në fraksionin e parë, edhe pse kishte shumë raste, rrjetat nuk u prekën, ndërsa në të dytin ishin miqtë që surprizuan dhe kaluan në avanatzh. U desh goli i Abraham në minutën e 91 për të barazuar shifrat, çfarë bëri që stadiumi të shpërthente në festë.

Sa i përket mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, ai u aktivizua në fushë për 90 minuta të plota.

Ndeshje e bukur ishte dhe ajo mes Basel dhe Marseille, ku në fund francezët arritën të siguronin një biletë kalimi për më tej. Ashtu si në ndeshjen e parë, Marseille mundi 2-1 zviceranët në një ndeshje të dominuar tërësisht nga ata. Nga ana tjetër, Leicester, edhe pse u mund 2-1 nga Rennes në Francë, u mjaftua me fitoren 2-0 në shtëpi, që e kualifikon skuadrën në 8 më të mirat e Conference League.

Edhe Feyenoord me PAOK vijuan aventurën e tyre në Conference League. Hollandezët mundën 3-1 Partizanin e Beogradit, ndërsa grekët e PAOK-ut mundën 2-1 në tranfertë Gentin.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos