Ronaldo feston rekordin e 200 ndeshjeve me gol, në kualifikueset e Euro 2024 shënojnë Lukaku dhe Haaland

Nga A2 CNN
20 Qershor 2023, 23:07 | Futboll
Ronaldo feston rekordin e 200 ndeshjeve me gol, në kualifikueset e Euro

Të mëdhenjtë nuk gabuan në grupet e tjerë kualifikues të Euro 2024. Belgjika mposhti 3-0 Estoninë me golat e të zakonshmit Lukaku, Portugalia triumfoi vetëm në sekondat e fundit përballë Islandës me rrjetën e Cristiano Ronaldos dhe Haaland realizoi dy herë në suksesin 3-1 të Norvegjisë.

E gjithë vëmendja në ndeshjet që mbyllën zyrtarisht sezonin futbollistik ishte te Cristiano Ronaldo. Ylli portugez regjistroi ndeshjen numër 200 me përfaqësuesen, duke u bërë futbollisti që numëron më tepër prezenca në arenën ndërkombëtare.

Një jubile në të cilin sulmuesi nuk mund të qëndronte pavendosur vulën: kur dukej se ndeshja e Portugalisë me Islandën do të mbyllej në barazim pa gola, CR7 realizoi golin e suksesit. Pas konsultës së gjatë me sistemin VAR rrjeta u cilësua e vlefshme, duke bërë që luzitanët të ngjiten në kuotën e 12 pikëve në Grupin J, të ndjekur nga Sllovakia me 10 pikë. Befasi ishte disfata në shtëpi e Bosnjës, që u thye 2-0 nga Luksemburgu.

Pa Courtois e De Bruyne, kapiteni Lukaku udhëhoqi i vetëm Belgjikën drejt suksesit. Ai shënoi dy nga tre golat e fitores përballë Estonisë, fillimisht në të 37-ën dhe më pas në minutën e 40-të. Djajtë e Kuq mbeten të dytët në Grupin F, me 7 pikë, pas shpinës së Austrisë që kryeson me 10 duke fituar përballë Suedisë.

Norvegjia bëri detyrën përballë Qipros. Skandinavët fituan3-1 me Haaland që realizoi dy gola në harkun e pesë minutave dhe regjistruan fitoren e parë në 4 ndeshje. Misioni në Grupin A mbetet i vështirë, pasi Skocia u ngjit në kuotën e 12 pikëve, teksa Spanja ka vetëm 3 pikë në dy ndeshje dhe nuk luajti prej angazhimeve në Nations League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos