Rostovi në duart e Wagner, qyteti i rrethuar nga mercenarët me tanke e blinda

Nga A2 CNN
24 Qershor 2023, 10:54 | Fotolajme

Rebelimi i armatosur i shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në orët e fundit, aq sa detyroi Presidentin rus Vladimir Putin që t'i drejtohej kombit me një video-mesazh, duke premtuar ndëshkimin e atyre që i konsideroi tradhtar.

Dikur ish-aleat dhe kuzhinieri personal i Putin, shefi i Wagner duket se e ka prerë në besë kreun e Kremlinit, aq sa ky i fundit u shpreh se ajo që po ndodh është "thikë pas shpine për Rusinë".

Ndërkohë, zhvillimet e fundit trgojnë se Prigozhin ka shtënë në dorë plotësisht Rostovin, me tanket e Wagner të drejtuar nga selia ushtarake e rajonit. Përveç kësaj zone strategjike ai pretendon se gjatë orëve të para të së shtunës ka marrë nën kontroll edhe objektet kryesore ushtarake në qytetin e Voronezh, që gjendet rreth 310 milje larg Moskës.

Prigozhin tha në një video se ai ndodhet në Rostov-on-Don, në Rusinë jugore, afër kufirit me Ukrainën, dhe se forcat e tij kanë kontrollin e objekteve ushtarake dhe aeroportit atje.

Ai u zotua të bllokojë Rostovin dhe të shkojë në Moskë nëse ministri rus i Mbrojtjes dhe gjenerali i lartë nuk takohen me të në qytet, ku është selia e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë.

Rostov-on-Don është pikë strategjike sepse selia e tij ushtarake koordinon operacionet në Ukrainë, ka thënë një ish-oficer i inteligjencës së ushtrisë britanike.

Lëvizja e Prigozhin vjen pasi ai tha se luftëtarët e tij po hynin në rajonin e Rostovit të premten dhe se Garda ruse dhe policia ushtarake i janë bashkuar grupit Wagner, por CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e tij.

Sakaq fotot dhe videot që qarkullojnë në mediat sociale, kryesisht në Telegram tregojnë trupat e Wagner që kanë vendosur nën kontroll të plotë Rostovin, me ushtarë të armatosur rëndë dhe tanke e blinda që kanë rrethuar godinat kryesore.

Fotot tregojnë automjete ushtarake në rrugë dhe në mëngjes herët ka pasur raportime për helikopterë që ishin ngritur mbi qytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos