Rrëfimi i fundit i Baxhakut

Nga A2 CNN
23 Gusht 2020, 11:36 | Kulturë
Rrëfimi i fundit i Baxhakut

Një vit pasi kemi humbur Fatos Baxhakun, ai vijon ende të na rrëfejë histori dhe gjëmimet e shqiptarëve përmes një libri. “Në emër të Noes” është zëri i arbërve të cilëve u bën jehonë sot Fatos Baxhaku.

Ne jemi në një nga vendet e preferuara të Baxhakut, e do të shkojmë në këndin e tij, aty ku ai ulej dhe shkruante. Ngjitemi në katin e dytë të “Friends Book House” në tavolinën e tij. Në këtë cep të Tiranës, në këtë tryezë të vogël të një kafe-librarie, mendohet se u ngjiz ideja për të shkruar librin që sot kemi në duar, atë që vetë Baxhaku e pagëzoi “Në emër të Noes”. Donte të tejkalonte reportazhet, e me një stil të jashtëzakonshëm, ai na rrëfen sot histori të Shqipërisë së viteve më parë e histori të Shqipërisë së sotme, për të njohur më shumë vetveten.

Sot, tavolinën e tij e gjejmë bosh, por librin e Fatos Baxhakut e gjejmë në çdo ambient të librarisë-kafe. Në dhomën e leximit vijojnë ende të vijnë miqtë e tij, bashkëpunëtorë e kolegë me të cilët Baxhaku nisi rrugëtimet e tij. Këtu vendosim të takojmë edhe Klodiana Kapon, një nga bashkëudhëtaret e Baxhakut në këtë përvojë. Pikërisht në këto tavolina projektoheshin skicat e para të këtij libri.

Gazetarja Klodiana Kapo tregon: “Punoi deri ditët e fundit për këtë libër, edhe përkundrejt sëmundjes. Ishte ëndërr e tij dhe donta ta përfundonte, me gjithë luftën që kishte me sëmundjen”.

E ndonëse më së shumti e njohim Fatos Baxhakun për reportazhet ku ndërthureshin studimet e tij universitare për histori, me një shkrim sa gazetaresk aq edhe përshkrues, kërkimi dhe udhëtimi i tij drejt simboleve, pikërisht ky hulumtim mes trojeve shqiptare e bën këtë libër një nga shenjat që lë sot e përgjithnjë FatosBaxhaku.

Ashtu sikurse Baxhakun e lidhim fort me udhëtimet, në libër nga Shkodra në Himarë, po kështu do të bëjë edhe A2. Udhëtojmë drejt jugut për të takuar një tjetër mik e bashkëpunëtor të tij, botuesin Benet Koleka.

"Në emër të Noes" njihej më herët nga bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij si libri i piratëve, por u pagëzua me këtë emër në fund, sepse aty nuk ka vetëm piratë, por histori udhëheqësish, kapedanësh e pashallarësh që tregojnë se një popull i vogël, sikurse anija e Noes, sado të përballet me erërat e fuqive të mëdha, ndien se ka diçka në dorë që mund të ndikojë në formimin e një vendi, sado i vogël të jetë ai.

Libri ka fakte historike, piktura e fotografi. Baxhaku i adhuronte librat e vegjël, librat e xhepit, ato që merreshin me vete, shfletoheshin, lexohej një kaptinë, mbylleshin dhe hapeshin prapë, pikturat, fotografitë e vjetra kanë qenë të gjitha hulumtim i Baxhakut. Baxhaku kishte bërë plane që gjatë tetorit të përfundonte librin "Në emër të Noes". Në fakt, ka skica dhe dorëshkrime shkëputur nga blloku i tij që na tregojnë se historitë e dëshmitë që po hulumtonte vijonin, e libri është i pambaruar.

Benet Koleka shprehet: “Po, libri është i pambaruar, por në shënimet në fletoren e tij i kemi publikuar si të tregonim si do t’i vijonte ai këto histori”.

Libri që nisi të shkruhej pikërisht në këtë tavolinë, e që nis me dedikimin: Shokëve të mi të fëmijërisë, me të cilët kapërceva “dete dhe oqeane”, duke qëndruar megjithatë në të përhershmin breg të Lanës…”,  përfundon në fakt me dorëshkrimet e Fatos Baxhakut, duke na rrëfyer se ky libër nuk ka përfunduar ende dhe se rrugëtimi i tij vazhdon… (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos