Rrezik i lartë, 6 banka mund të preken nga interesat, këmbimi dhe pronat

Nga A2 CNN
28 Prill 2023, 15:22 | Ekonomi
Rrezik i lartë, 6 banka mund të preken nga interesat, këmbimi dhe

Bankat duhet të tregojnë më shumë kujdes, teksa rritja e normave të interesit po ndryshon tërësisht fushën e lojës. Banka e Shqipërisë percepton rreziqe të shtuara në ekonomi, në raportin e fundit të stabilitetit financiar.

Shenjat e para janë shfaqur tek kreditë e reja, ku kërkesa ka rënë me 4.6%, por norma e refuzimit është rritur në 20.2% të aplikimeve. Kjo pasi përballë jetesës së shtrenjtuar aftësia paguese e familjeve ka rënë, ndërsa tek bizneset ngarkesa me borxh është rritur edhe për shkak të kostove më të larta.

Banka e Shqipërisë vlerëson se cilësia e kredisë pritet të përkeqësohet, që nënkupton se në të ardhmen mund të përballemi me një rritje të huave me probleme. Por rreziqet nuk përfundojnë këtu. Luhatjet e forta në tregun e këmbimit valutor dhe zhvillimet e mundshme të tregut të pasurive të paluajtshme mund të cënojnë themelet e sistemit.

Çmimet e pronave në fakt janë ulur me mbi 11% në Tiranë në fund të 2022-it, krahasuar me gjysmën e parë të vitit. Ndërsa agjentët imobiliarë raportojnë sinjale mikse, si rritja e shitjeve, por edhe ulja e kërkesës për blerje shtëpish, kur shumë individë presin stabilizimin e interesave.

Në skenarin e moderuar të stres testit, Banka e Shqipërisë vlerëson se 6 banka mund të hasin vështirësi, që mund të kërkonte një injektim kapitali prej mbi 100 milionë euro. Një shifër jo e vogël për sistemin bankar në vend, arsye pse banka qendrore apelon për rritje të vëmendjes ndaj rrezikut të kredisë dhe kërkon rritje kapitali nga bankat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos