
Elisabeta Katiaj, nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës, teksa ishte e ftuar në A2 Business këtë të mërkurë, renditi tre sektorët në të cilët ka më shumë interes nga të huajt dhe diaspora për të investuar në Shqipëri.
“Energji, logjistikë dhe turizëm, janë sektorët më me interes nga investitorët e huaj në Shqipëri. Shqipëria është një vend që do të ketë një zhvillim jashtëzakonisht me fokus të vendeve europiane, kryesisht fqinje, për investime kryesisht në energji, për tregtinë e lirë në sektorin e energjisë që është krijuar, për çështjen e Porto Romanos, që do të jetë një urë lidhëse me vendet e Ballkanit.
Sa i përket turizmit, këtu po zhvillohen resorte moderne me të gjitha standardet. Këto kanë zgjuar interesin e europianëve nga vendet e zhvilluara, por edhe të diasporës. Me politikën që është ndjekur tani, diaspora është kthyer në një agjent zhvillimor në Shqipëri duke lançuar vendin.
Ka interes konkret dhe të shtuar, jo vetëm në investime në pasuri të patundshme, por edhe në sipërmarrje”, tha Katiaj. (A2 Televizion)