Gjendja e jashtëzakonshme, kuvendi miraton me 91 vota pro shtyrjen me dy muaj

Nga A2 CNN
23 Prill 2020, 13:07 | Aktualitet
Gjendja e jashtëzakonshme, kuvendi miraton me 91 vota pro shtyrjen me dy

Opozita parlamentare kundërshtoi propozimin e qeverisë për të zgjatur me dy muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore. “Pse i izoluat shqiptarët 1 muaj e gjysmë para me 8 raste dhe sot doni t’i lironi nga shtëpitë me 25 raste në ditë?”, u shpreh deputetja e grupit demokrat, Rudina Hajdari.

“Shtyrja e afatit të fatkeqësisë natyrore është domosdoshmëri që kjo situatë pandemie të kalojë me sa më pak të prekur e çfarë është me e rëndësishme, me sa më pak viktima”, tha ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali.

“20 e kusur vdekje në logjikën time të vlerësimit, nuk janë arsye e fortë për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Më shumë persona ka vrarë tërmeti, se sa koronavirusi”, tha deputeti Ralf Gjoni.

Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, një pjesë e deputetëve të opozitës bashkuan votat me shumicën, duke miratuar me 91 vota pro zgjatjen e fatkeqësisë natyrore.

Veç mazhorancës, opozita kritikoi ashpër edhe Presidentin Meta, që sipas saj, u bë palë me qeverinë në ndryshimet ne Kodin Penal, për dënimin me burg të atyre që nuk respektojnë urdhrin e karantinimit, duke përhapur infeksionet. “Kodi Penal, që gardiani firmosi dje, u ndryshuar me urdhër të peshkut të rrugës, kërkon 84 vota. Se nga i gjeti Blushi 84 të ligjshëm, kur ka 1 vit që nuk lë mejhane për 82, nuk e di”, tha deputeti Myslym Murrizi.

“Pse nuk e shkarkoni. Ua kam thënë, këta rrotullohen 3 në krevat”, tha Ralf Gjoni.

Mazhoranca tentoi qetësimin e opozitës, duke mohuar një marrëveshje të fshehtë me presidentin. “Nuk ka asnjë marrëdhënie të re, as marrëdhënie të vjetër me Ilir Metës. Ne jemi shumica, Meta është presidenti. Për ndryshimet ne Kod Penal kemi komunikuar edhe me institucionin e presidencës”, tha kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Ndaj kritikave reagoi edhe Presidenti Meta, duke folur për “pseudo-intelektualë” dhe “pseudo-ekspertë”, që sipas tij, nuk duan të kuptojnë rëndësinë e këtyre vendimeve. Pasi citon dy legjislacione të ngjashme në legjislacionin e Danimarkës,  Meta garanton se ka mbrojtur Kushtetutën dhe më pas flet në shumës. “Zgjidhëm boshllëkun që kishte Kodi Penal për ata që donin të përdornin pandeminë kundër shëndetit të qytetarëve, duke vendosur për këtë çështje madhore një standard si të Danimarkës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos