
Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të ketë ndikimin e saj në ecurinë e inflacionit në Shqipëri, duke u kthyer në një faktor rreziku për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike.
Ishte ky një ndër pohimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në Mbledhjen Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore
Guvernatori Sejko, shtoi se projeksioni i rimëkëmbjes ekonomike varet edhe nga shumë faktorë, si ecuria e pandemisë, qëndrueshmëria e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, si dhe nga ndikimi i goditjeve aktuale të ofertës.
Parashikim të ngjashëm dha edhe Komiteti Monetar e Financiar i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Shfaqja e varianteve të reja të virusit ka çuar në rritje të pasigurisë, e për pasojë rreziqet ndaj rigjallërimit janë zhvendosur në kahun e poshtëm. Bashkëpunimi i fuqishëm ndërkombëtar dhe veprimi i menjëhershëm janë të nevojshëm për të përshpejtuar vaksinimin universal, me qëllim: frenimin e përhapjes së pandemisë; kufizimin e dallimeve; dhe për të mbështetur një rikuperim gjithëpërfshirës kudo në botë.”
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zbutjen e efekteve negative nga pandemia, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë. (A2 Televizion)