Koti rendit 4 motivet e emigrimit të shqiptarëve

Nga A2 CNN
20 Tetor 2021, 21:40 | Ekonomi
Koti rendit 4 motivet e emigrimit të shqiptarëve

Sorina Koti, deputete e Partisë Demokratike dhe zv/kryetare e Komisionit të Ekonomisë, u shpreh në “A2 Business” se “varfëria dhe pagat janë arsyet pse shqiptarët emigrojnë”.

Sipas saj, “më pas, janë siguria dhe dinjiteti i jetesës”.

“Nëse shikojmë të dhënat e emigracionit, sidomos në dy vitet e fundit, pjesa e madhe që kanë zgjedhur të largohen është mosha deri 35 vjeç. Kjo është pjesa që siguron stabilitetin ekonomik”, deklaroi Koti.

Deputetja demokrate nënvizoi se problem i madh është edhe fakti që prioriteti që ka një qeveri mbi ekonominë, nuk është i njëjti me prioritetin e qeverisë pasardhëse.

“Politika duhet të ketë vullnetin për të bërë gjërat mirë. 60% e popullsisë jeton në vetëm 2-3 rajone dhe pjesa tjetër e vendit është pothuajse e boshatisur”, nënvizoi Koti.

Kur u pyet nëse mjafton rritja e pagave për të ulur emigracionin, Koti theksoi: “Pagat në tregun e punës i vendos kërkesa dhe oferta, ndërsa në administratë i vendos qeveria. Biznesi ka vështirësi për të investuar te burimet njerëzore për shkak edhe të pamundësisë financiare që lidhet me barrën fiskale që ka biznesi për të paguar ndaj shtetit. Sa më e ulët të jetë barra fiskale, aq më shumë do t’i ngelen të ardhura biznesit për të paguar punëtorët”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos