Emigracioni, Shkodra: Nuk është vetëm varfëria, duhet një analizë e thellë për të kuptuar pse largohen njerëzit

Nga A2 CNN
20 Tetor 2021, 21:54 | Ekonomi
Emigracioni, Shkodra: Nuk është vetëm varfëria, duhet

Sekretari i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, nënvizoi në “A2 Business” se për të kuptuar arsyet e emigracionit të shqiptarëve duhet të bëhet një analizë e thellë, për secilën nga kategoritë e emigrantëve.

“Bëjmë gabim nëse themi që njerëzit po largohen nga vendi sepse ka varfëri dhe nuk ka mirëqenie. Duhet të thellohemi në një analizë me kategori. Pse një i ri në një zonë rurale nuk preferon të punojë tokën e vet, por të ikë? Kjo është një kategori dhe duhet analizuar pse ky i ri nuk e gjen veten brenda rajonit të vet. Pastaj, ka një kategori që ka njerëz jashtë shtetit dhe ata ikin për arsye familjare. Atij nuk mund t’i thuash pse ikën. Sado t’ia bësh pagën, ai do të ikë të qëndrojë me familjen e tij. Nuk mund ta analizojmë trashë: thjesht shëndetësia apo shkollimi. Studentët po ikin sepse nuk i vlen diploma dhe duhet diskutuar pse nuk i vlen kjo diplomë. Ne nuk i pranojmë dot në punë pa një vit stazh, që të kuptojnë se çfarë është një fabrikë prodhimi. Duhet analizuar patjetër çdo kategori sepse secili ka problematikat e veta”, u shpreh Shkodra.

“Nëse pagat janë të mira, unë besoj që njeriu preferon të jetojë më shumë në vendlindje sesa në një vend tjetër ku duhet të krijojë nga fillimi gjithçka. Por, pagat rriten në proporcion me produktivitetin e ekonomisë shqiptare. Nëse një fabrikë nuk performon mirë, do të ketë më pak të ardhura dhe mundësi për të rritur pagat. Sa më shumë t’i mbajmë kompanitë në pamundësinë për t’u rritur, aq më shumë shtohet pakënaqësia për punonjësit në lidhje me mosrritjen e pagës”, shtoi Shkodra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos