
Ministri i Mbrojtjes është i pakënaqur me punën e bërë deri më tani nga dretjuesit e bashkive për të parandaluar përhapjen e zjarreve në vend, në një kohë kur vendi kalon temperatura ekstreme të nxehti.
Niko Peleshi nuk i ka fshehur kritikat, pasi, sipas tij, nuk janë ndjekur protokollet e përcaktuara.
“Ka një lloj dështimi nga monitorimi dhe lajmërimi në kohë. Duke nisur nga kryepleqtë”, tha Peleshi.
Helikopterët, shtoi ministri Peleshi, nuk duhet të jetë zgjidhja e parë për të shuar zjarret, pasi nëse situata agravohet mund të bëhet e pakontrollueshme edhe me ndërhyrje nga ajri: “Kur flakët marrin përmasa të mëdha nuk ia dalin as vende më të zhvilluara. As Turqia nuk ia del”.
Porosia tjetër për drejtuesit e bashkive, nga ana e ministrit të Mbrotjes, kishte të bënte me garantimin e jetës së qytetarëve që banojnë në zona të rrezikuara nga zjarret: “Kur kërcënohen zonat me banesa, bëni gati planin e evakuimit”.
Në këto javë të nxehta të verës, në Shqipëri janë evidentuar 125 vatra zjarri. (A2 Televizion)