Rrëzimi i avionit, iranianët kërkojnë dorëheqjen e Khameneit

Nga A2 CNN
12 Janar 2020, 18:30 | Aktualitet

Qindra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit të Iranit, Teheran, për të shprehur zemërimin ndaj zyrtarëve iranianë, duke përfshirë dhe liderin suprem Ali Khamenei, duke i akuzuar ata si gënjeshtarë pasi mohuan sulmin ndaj avionit ukrainas të pasagjerëve. Protestat u zhvilluan jashtë dy universiteteve, ndërkohë që sipas BBC ka pasur edhe hedhje të gazit lotsjellës kundër protestuesve. Tubimi nisi fillimisht si homazh për të respektuar viktimat, por tensionet u rritën gjatë mbrëmjes. Agjensia e lajmeve Fars bëri një raportim të rrallë të trazirave, duke thënë se rreth 1 000 njerëz shpërthyen në parulla kundër udhëheqësve dhe grisën fotografitë e Soleimanit. Studentët bënë thirrje që përgjegjësit për rrëzimin e avionit dhe të tjerë që tentuan ta fshehin, të ndiqen penalisht. Ajo që po irriton më shumë protestuesit nuk ishte pjesa e pranimit të fajit por fakti që ushtria e kishte njoftuar qeverinë mbi arsyen e rrëzimit të avionit që në ditën që ndodhi dhe liderët e vendit përpiqeshin ta fshihnin pavarësisht se kryeministri kanadez dhe qeveritarë të SHBA-ve duke iu referuar informacioneve të shërbimeve sekrete e konfirmonin diçka të tillë. Presidenti amerikan, Donald Trump, përmes një postimi në Twitter shprehu mbështetjen për protestat “frymëzuese”. Irani të shtunën pranoi se rrëzoi “pa dashje” avionin ukrainas, ku humbën jetën 176 njerëz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos