







Një ngjarje tronditëse ka zgjuar ukrainasit këtë të mërkurë. 18 persona humbën jetën, përfshirë ministrin e Brendshëm të vendit, pasi një helikopter u rrezua pranë një kopshti fëmijësh në periferinë lindore të Kievit.
Mes viktimave janë edhe 3 fëmijë, ndërsa 15 të tjerë janë dërguar në spital. Ministri Denys Monastyrsky po udhëtonte së bashku me 8 persona të tjerë, e përveç tij, kabineti i luftës së Zelensky-t humbi gjithashtu zv.ministrin e Brendshëm Yevgeny Yenin dhe sekretarin e shtetit Yuriy Lubkovich.
Sipas autoriteteve në vend, të paktën 29 persona u plagosën në tragjedinë e ndodhur në periferinë e Brovary-t. Një zjarr shpërtheu pranë kopshtit, me fëmijët dhe stafin që u zhvendosën nga godina.
Në momentin kur ndodhi ngjarja ishte errësirë dhe mjegull dhe sipas raportimeve helikopteri kishte goditur kopshtin para se te rrëzohej pranë një godine rezidenciale. Shefi i policisë kombëtare Ihor Klymenko njoftoi se helikopteri i përkiste shërbimeve të emergjencës në Ukrainë, ndërsa mësohet se zyrtarët e lartë po udhëtonin drejt një zone të nxehtë. Përgjithësisht zyrtarët ukrainas fluturojnë në lartësi të ulët, për të shmangur raketat e armiqve.
Vdekja e ministrit Monastyrsky do të jetë një goditje e fortë për luftën ukrainase ndaj Rusisë. i lindur në jug të vendit në vitin 1980, ai ishte një figurë kyçe e qeverisë Zelensky dhe ofronte përditësime të rregullta mbi dinamikat e luftës në vend.
Për ngjarjen reagoi edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. “Ngushëllime të sinqerta e të përzemërta për qeverinë dhe popullin e Ukrainës, pas humbjes tragjike të jetëve të Ministrit të Brendshëm Denys Monastyrsky, zyrtarëve të tjerë dhe civilëve, përfshirë fëmijë pas rrëzimit të helikopterit në afërsi të Kiev. Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për popullin e Ukrainës”, shkroi ajo në Twitter. (A2 Televizion)