Rritja alarmante e naftës, Berisha kërkon heqjen e TVSH dhe taksës së qarkullimit

Nga A2 CNN
9 Mars 2022, 13:25 | Politikë
Rritja alarmante e naftës, Berisha kërkon heqjen e TVSH dhe

Ish-kryeministri Berisha ka kërkuar nga qeveria Rama të heqë sa më shpejt TVSH-në dhe taksën e qarkullimit për naftën, e cila në ditët e fundit ka arritur çmimin më të lartë të saj, detyruar dhe nga lufta në Ukrainë.

Berisha, gjithashtu kërkoi heqjen e TVSH-së për energjinë, si dhe rimbursim për energjinë për familjet në nevojë. Sipas ish-kryeministrit, qeveria gjithashtu ka për detyrë që të mbrojë qytetarët nga spekulantët që përfitojnë nga situata e krijuar.

“Denoncojmë qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë ndaj situatës së krijuar javët dhe ditët e fundit me rritjen galopante të çmimeve të energjisë, produkteve te tjera, por dhe ushqimeve.

Nuk mohohet që Europa është në luftë dhe hijet e saj përhapen në mbarë kontinentin, përfshi këtu dhe Shqipërinë. Në këtë luftë, krahas armikut kryesor që janë hordhitë ruse që po kryejnë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainën e lirë dhe të pavarur, hordhitë e dyta në mbarë Europën janë spekulantët që duan si shushunja të pasurohen nga lufta. Është në detyrën më parësore të qeverive të vendeve të BE-së të luftojnë me vendosmëri spekulantët.

Kohë përpara se të niste kjo luftë, të gjitha vendet e BE-së, kanë ndërmarrë një seri masash që kishin si qëllim mbrojtjen e qytetarëve. Sot, Shqipëria ka çmimet më të larta në Europë për naftën dhe gazin, ndonëse është një vend prodhues i naftës dhe gazit. Çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti i regjistruari deri më sot në Europë, pavarësisht se rrogat janë 10 herë më të ulëta se në Austri dhe Gjermani.

Ky çmim stratosferik i naftës nuk ka ekzistuar as në vitin 2008, kur fuçia arriti 150-200 dollarë në bursë. Ky çmim është rezultat i një serie taksash të vendosura në arbitraritet dhe kundër logjikës fiskale. Sot, qeveria ka vendosur përveç TVSH-së, akcizës, vendosi dhe taksën e qarkullimit, e cilat vajti 270 lekë. Krahas tyre, janë vendosur tarifa absurde, si ajo e kontrollit, e pompës për të mos thënë 400 lekë TVSH për litër.

PD-ja kërkon heqjen e TVSH-së nga nafta dhe për energjinë elektrike. Kërkon rimbursim për të gjitha familjet në nevojë, shtesë që të përballojnë krizën ekonomike. Kërkon heqjen e taksës së qarkullimit prej 270 lekë. Dhe me këto lëvizje, çmimet e naftës zbresin në nivelin e vendeve përreth”, tha Berisha. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/03/09/rama-po-mbjell-terror-me-hijet-e-luftes-berisha-qeveria-te-marre-masa-per-cmimet-ne-te-kundert-opozita-del-ne-protesta/

A2 CNN Livestream

Latest Videos