
Kriza e çmimeve po e detyron qeverinë të rishikojë objektivat për rritjen ekonomike këtë vit, nga 4.1% në një nivel nga 3.2-3.5%. Kjo pavarësisht performancës së mirë të fillimvitit, me rritje të të ardhurave tatimore, me një performancë pozitive të bizneseve dhe rritje të eksporteve.
Inflacioni, i diktuar nga bursat botërore dhe mallrat që vijnë nga Bashkimi Europian, pritet të jetë mesatarisht 4.5% këtë vit, sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Për këtë arsye, qeveria planifikon të mbajë bordet për caktimin e çmimeve tavan, deri në kapërcimin e pasigurive që ka krijuar lufta në Ukrainë.
“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe bordet do të vazhdojnë të funksionojnë për sa kohë nuk ka siguri lidhur me përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë”, tha Ibrahimaj. “Ky regjim nuk është as i kërkuar dhe as i dëshirueshëm nga ana e qeverisë”.
Kryeministri Rama deklaroi javën e shkuar në Kuvend se po studiohej mundësia që familjet e pasura të paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Ministrja e Financave sqaron skenarët që po diskutohen. “Jemi duke menduar që nëse skenarët më pesimistë do të materializohen, atëherë do të mendojmë që ai që konsumon më shumë do të paguajë më shumë, por ende nuk ka një vendimmarrje për këtë gjë”.
Qeveria zhvendosi rreth 20 miliardë lekë fonde në Paketën e Rezistencës për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike. Ndërsa produktet që po monitorohen dhe mbahen me çmime tavan janë nafta, benzina, gazi, mielli, vaji, orizi, sheqeri dhe së fundmi pritet një bord edhe për inputet bujqësore, prej shqetësimit të rritjes së kostove për fermerët dhe rrjedhimisht të prodhimeve për konsumatorët vendas. (A2 Televizion)