
Një sfidë e re është shfaqur në horizont për ekonominë shqiptare dhe do të zgjasë jo pak, sipas vlerësimit që bën Banka e Shqipërisë. Kur ekonomia shqiptare po i drejtohej një rimëkëmbjeje të fortë pas pandemisë, rritja drastike e çmimeve po prekë familjet dhe bizneset shqiptare.
“Ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik në një horizont kohor jo të shkurtër”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. “Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektiv për pjesën më të madhe për dy vitet e ardhshme. Në të njëjtën kohë marzhet e fitimit të biznesit do të vihen në presion dhe kostot e shërbimit të borxhit do të rriten”.
Por sipas guvernatorit Gent Sejko, të dhënat e para tregojnë se kjo nuk do të prekë rritjen ekonomike. “Së dyti, në aspektin pozitiv, edhe në prani të kësaj goditjeje, projeksionet tona sugjerojnë se vëllimi i aktivitetit ekonomik, do të shënojnë rritje edhe gjatë vitit 2022”, shtoi ai. (A2 Televizion)