
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, përmes një konference për shtyp bëri një përmbledhje të situatës ekonomike që po kalon vendi, krahasuar me një vit më parë.
Ibrahimaj deklaroi se rritja ekonomike në Shqipëri është përshpejtuar në vitin e fundit, ndërkohë që ulje ka pasur edhe borxhi publik. Për ministren, shqetësim mbetet inflacioni, i cili pritet të rritet ende në muajt në vijim.
“Të gjithë sektorët kanë rezultuar në rritje. Kjo rritje ka ardhur nga rritja e konsumit dhe nga formimi bruto i kapitalit fiks. Si investimet dhe konsumi kanë pasur rritje gjatë 2021. Treguesi i borxhit shënoi 73.2% nga 78% që ishte një vit më parë. Rritja ekonomike ka pasur një përshpejtim krahasuar me 2 vitet e fundit. Për 3-mujorin e katërt, papunësia shënoi rënie dhe shkalla e punësimit ka pësuar rritje në nivelin mbi 53%. Paga mesatare është rritur me 8%, krahasuar me një vit më parë. Janë rritur të ardhurat me 26%.
Reforma e fiskalizimit ka vijuar ecurinë pozitive, 100% e biznesit të madh është fiskalizuar. Të dhëna të mira vijnë dhe nga biznesi i vogël sa i përket fiskalizimit. Kemi pasur një ecuri të kënaqshme të tregut të punësimit. Importet janë përshpejtuar si në vëllim ashtu edhe në vlerë, po ashtu dhe eksportet. Sektori bankar ka ndjekur ecurinë pozitive, duke rritur kredi dhënien. Ajo që na ka shqetësuar është ecuria e inflacionit. Në shkurt, ka qenë 3.9%, por është më i ulët se vendet e rajonit. Kërkesa ka bërë që çmimet të rritet ndërkohë që oferta ka qenë më e munguar. Në Shqipëri, çmimet kanë qenë më të kontrolluar, pasi energjia është kontrolluar nga shteti. Presim që inflacioni të pësojë një rritje në muajt në vijim. Në vijim të këtyre parashikimeve, ne kemi rishikuar dhe buxhetin”, tha mes të tjerash ministrja. (A2 Televizion)