Rritja e pagave të administratës dhe funksionarëve të lartë, çfarë duhet të dini?

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 16:10 | Politikë

Më 25 maj, Parlamenti miratoi ligjin për rritjen e pagave. Zbatimi do të nisë nga data 1 prill dhe mes 130 mijë punonjësve të administratës që përfitojnë, janë edhe funksionarët më të lartë shtetërorë, nga presidenti deri te deputetët e ministrat.

Për ekonomistin Maksim Caslli, përtej kostos, apo debatit, rritja e pagave të administratës është një lëvizje në drejtimin e duhur. “Deri para pak kohësh ishte sektori privat që paguante më shumë se ai publik dhe talentet orientoheshin në sektorin privat. Kështu që kjo lëvizje do të thithë më shumë talente në sektorin publik. Duke qenë se pjesa kryesore e punëdhënësit, që është shteti, lëviz në atë drejtim, do të detyrohet edhe privati ta ndjekë”, tha ai në një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN.

Sa do të rriten pagat e funksionarëve më të lartë shtetërorë?

Paga më e lartë është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë. Ajo është përcaktuar edhe si pagë referencë, që do të thotë që paraprin të gjithë hierarkinë e pagave për të gjitha pozicionet e tjera.

Dy funksionarët e tjerë më të paguar janë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, të cilët do të paguhen njëlloj, 393 125 lekë. Ministrat që janë edhe deputetë do të marrin rrogën më të madhe, që është vlerësuar ajo e ministrit, e cila shkon në 318 750 lekë.

Çfarë do të thotë kjo për buxhetin e shtetit?

Rritja e pagës mesatare në 900 euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 46,5 milionë euro. Nga 74 mijë e 450 lekë apo 650 euro që aktualisht paga mesatare është, shtesa për të arritur objektivin është 250 euro. Administrata publike aktualisht, përfshirë pushtetin qendror dhe atë vend numëron rreth 186 mijë të punësuar.

Rrjedhimisht, nga arka e shtetit do të dalin çdo vit rreth 5.2 miliardë lekë më tepër. Referuar relacionit të projektligjit të depozituar në Kuvend, si dhe deklaratave nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj këto fonde shtesë do të gjenerohen kryesisht nga rritja ekonomike dhe zgjerimi i borxhit publik.

Gjithashtu më shumë para’ pritet të grumbullohen nga administrata tatimore nëpërmjet rritjes së taksave si dhe nga përmirësimi i produktivitetit të të punësuarve.

Nga do të dalin këto para?

Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se burimi kryesor ku do të mbështetet rritja e pagave do të jetë rritja ekonomike e vendit. Ndonëse rritja ekonomike për këtë vit parashikohet të jetë 2,6%, kjo është “karta e fortë” e qeverisë. Gjithashtu një tjetër pikë është borxhi publik, rritja e taksave, rritja e aftësisë për t’i mbledhur ato.

Sipas Casllit, kosto e këtij vendimi në buxhetin e shtetit do të jetë 350 milionë dollarë në vitin 2025, vit kur do të aplikohet plotësisht. “Natyrisht, kur e shikon që rritet kosto e buxhetit të shtetit, duhet të mendosh si do ta përballosh këtë kosto. Dhe kjo do të përballohet me rritje të ardhurash, ose me ulje të numrit të personave që punojnë në shtet. Ndoshta do të ishte kjo e dyta më e mirë”, tha ai.

“Gjithmonë gjenden mënyra, sepse në fund të fundit, ke të ardhurat e tua si shtet. Dhe këto rriten ose duke rritur ekonominë, ose rritja e përqindjes së taksave, por nuk është kjo, sepse të gjitha forcat politike tentojnë nga ulja e taksave. Nëse do të tentojmë duke e marrë borxh, kjo është lëvizje e gabuar. Nuk mund të marrësh borxh pa limit, pra do të detyrohesh që paratë t’i menaxhosh sa më mirë”, thotë Caslli.

Shpenzimet në buxhet për pagat

Nga viti në vit, shuma e parave që ka dalë nga buxheti i shtetit për pagat e punonjësve të administratës ka ardhur në rritje, nga 80,6 miliardë lekë në vitin 2019, në 96,8 miliardë lekë në vitin 2023, pa përfshirë rritjen. Shifra parashikohet të arrijë deri në 140 miliardë lekë, duke llogaritur shtesat nëse miratohet projektligji. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e shtimit të administratës publike, kryesisht në administratën vendore. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/23/paga-mesatare-900-euro-komisioni-i-ekonomise-jep-ok-ne-fillim-perfitojne-130-mije-te-punesuar/
https://a2news.com/2023/05/23/premtimi-i-shtrenjte-rritja-e-pages-ne-900-euro-do-ti-kushtoje-buxhetit-46-5-mln-euro-shtese/

A2 CNN Livestream

Latest Videos