Rritja e rasteve me koronavirus, qeveria mbyll nga sot klubet e natës. Ndalohet edhe muzika pas orës 20:00

Nga A2 CNN
20 Korrik 2020, 12:34 | Aktualitet
Rritja e rasteve me koronavirus, qeveria mbyll nga sot klubet e natës.

Me vendim të qeverisë shqiptare, nga sot do të ndalohen klubet e natës, diskot, “lounge bar” dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre. Njoftimi është dhënë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se prioritet për qeverinë shqiptare është mbrojtja e jetës së qytetarëve.

“Kjo situatë që po kalojmë, kërkon zbatim rigoroz të protokollit të sigurisë. Vihet re në javët e fundit rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe përdorimit të maskave, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës. Kemi konstatuar që në këtë periudhë ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet totalisht zbatimi i masave për parandalimin e infeksionit, duke i shndërruar në vatra potenciale të infeksionit. Të rinjtë bëhen kështu bartës të virusit në dëm të më të moshuarve. Nga sot, qeveria i thotë stop kësaj sfide që i bëhet rregullave të vendosura për të parandaluar pandeminë. Prioriteti ynë numër 1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Sot vihet në zbatim akti normativ për ndalimin e hapjes së klubeve të natës, diskove, “lounge bar” dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur. Mosrespektimi i këtij vendimi shoqërohet me gjobë prej 3 milionë lekësh dhe në rast përsëritjeje, me mbyllje e aktivitetit për një vit”, tha Manastirliu

“Gjithashtu, ndalohet muzika pas orës 20:00 në shërbimet e çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi dënohet me gjobë 1 milion lekë dhe në rast përsëritjeje me mbyllje të aktivitetit për 6 muaj”, shtoi Manastirliu.

“Nuk duhet të harrojmë se e gjithë bota është në situatë pandemie, secili duhet të bëjë pjesën e tij për të mbrojtur shëndetin. Çdo shtet në botë ka kuptuar se suksesi varet vetëm nga ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe qeveritë u bëjnë thirrje qytetarëve të bëhen palë me autoritetet dhe jo me virusin”, theksoi ministrja e Shëndetësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos