Rritja ekonomike 4%, a janë të lumtur shqiptarët?

Nga A2 CNN
16 Janar 2019, 22:46 | Ekonomi

Zyrtarisht ekonomia shqiptare ka pasur një rritje 4%, por shifrat mbeten në letër. Në ekonominë reale njerëzit kanë probleme për të realizuar blerje përtej konsumit të përditshëm. Por edhe pse Banka e Shqipërisë njofton se besimi në ekonomi ka rënë, ndërsa FMN e Banka Botërore flasin për tkurrje të ekonomisë, qeveria është më optimiste se kurrë. Në lidhje me këtë çështje, në A2 Business Week, ishin të ftuar ekspertët e ekonomisë, Adrian Civici dhe Selami Xhepa.

“Sigurisht që rritja ekonomike është një tregues i mirë, me 4% apo 4,3%. Në vetvete, rritja ekonomike është një mënyrë llogaritjeje se si ekonomia rritet nga një vit në tjetrin. Pastaj, se si shpërndahet kjo rritje, është tjetër gjë”, tha Adrian Civici. “Kjo është edhe arsyeja pse ka një diferencë mes optimizmit që sjell rritja ekonomike, dhe pesimizmit te konsumatorët, pikërisht mënyra se si shpërndahet kjo rritje ekonomike. Ajo që është më shqetësuese, është shpërndarja e pabarabartë e rritjes ekonomike, kjo sjell që edhe pse rritja do të vazhdojë të jetë pozitive, 70%, 80%, apo 90% e shqiptarëve do të vazhdojnë të jenë të pakënaqur”.

“Të thuash që kemi rritje ekonomike është një gjë dhe të thuash që kemi përmirësim të standardeve të jetesës është diçka tjetër”, tha Selami Xhepa. “Fakti që edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një parashikim edhe më të ulët do të thotë që pritshmëritë që ne duhet të kemi për vitin 2019, do të jenë shumë më ndryshe nga sa parashikon qeveria”.

“Të ardhurat e familjeve, pra pagat kanë ndryshuar jashtëzakonisht pak, madje në terma realë janë gërryer. Ndërsa të varfrit nuk trajtohen me dinjitet. Problemi i shoqërisë shqiptare është politik, jo ekonomik. Drama më e madhe është që njerëzit vlerësojnë më tepër trajtimin që i bëhej në diktaturë, se sa tani. Dhe ky është problem i klasës politike në tërësi”, shtoi zoti Xhepa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos