
Një kambanë alarmi për sigurinë e të dhënave. Kështu e konsideron rrjedhjen e informacionit mbi pagat e shqiptarëve, ish zëvendësdrejtori i Tatimeve, Flobenc Dilaveri.
Krahas konfliktit social që ka krijuar ekspozimi i kësaj databaze konfidenciale, ai i druhet më shumë shkallës reale të humbjes së privatësisë dhe dëmit që mund të bëhet me këtë informacion.
“630 mijë shqiptarë janë të ekspozuar më shumë sesa ishin dje, dhe nuk do të më habiste sikur nesër të dalin edhe dokumente të tjera, që kanë të bëjnë me llogaritë bankare, transaksionet e biznesit, informacione që mund të përdorin kundërshtarët”, thotë Dilaveri për A2 CNN.
Sipas Dilaverit, akses në këto të dhëna e kanë disa qindra punonjës të Tatimeve apo Sigurimeve Shoqërore. Por sërish, puna për nxjerrjen e informacionit nuk ka ardhur nga një individ apo grup individësh të rastësishëm, por nga një ekip i mirëfilltë.
“E ka të pamundur administrata tatimore të nxjerrë një listë të tillë pa 1-2 muaj pune individuale secili. Nga pikëpamja e kohës fizike, është shumë e gjatë. Mendoj se janë bërë filtra të caktuara dhe puna është kryer nga personel më i kualifikuar sesa një inspektor tatimesh”, shton ai.
Dilaveri vlerëson se pas skandaleve të njëpasnjëshme, qeveria duhet të reagojë menjëherë për të forcuar sistemet e sigurisë. Të tilla si kufizimi i aksesit për inspektorët e Tatimeve, vetëm te të dhënat e subjekteve që monitorojnë dhe jo për të gjithë Shqipërinë. (A2 Televizion)