
Rritja ekonomike 7,6% është konsideruar si një nga më të lartat nga FMN dhe Banka Botërore, krahasuar edhe me vendet e tjera, por sa është reflektuar kjo edhe në rimëkëmbjen e biznesit?
Përgjigje kësaj pyetjeje i dha në A2 Business Elona Shehu, eksperte për ekonominë. Shehu u shpreh se patjetër që do të kemi rritje, duke qenë se vijmë nga një vitë i ndikuar nga pandemia.
“Nëse i referohemi vitit 2020, i cili ishte viti i izolimit, në kolaps të prodhimit, patjetër që do të kemi rritje. Doja të vija theksin te problematika që haset kur këto biznese janë të brishta përballë këtyre krizave, si pandemia apo tërmeti. Këto biznese kërkojnë një mbështetje më të madhe nga qeveria. Është një sektor shumë i rëndësishëm, por i brishtë”, u shpreh Shehu.
Ndërkohë, Eduart Gjokuta, ekspert për ekonominë, u shpreh se pikëpyetjet janë shtuar për bizneset në këtë situatë kur janë duke rikuperuar humbjet e vitit të kaluar.
“Bizneset janë duke rikuperuar atë që humbën në vitin 2020. Megjithatë, ne ende nuk shohim atë analizën e madhe për të nxjerrë mësime nga ajo që pandemia shkaktoi. Bizneset tona janë përpara presioneve të shumta dhe pikëpyetjet janë shtuar për ecurinë e tyre. (A2 Televizion)