''Rruga e Kryqit'' rikthehet në Kolose, Papa bën thirrje për pajtim, mediat ukrainase bojkotojnë ceremoninë

Nga A2 CNN
16 Prill 2022, 16:24 | Bota
''Rruga e Kryqit'' rikthehet në Kolose, Papa bën

Mijëra besimtarë ndoqën procesionin e “Rrugës së Kryqit”, i udhëhequr nga Papa Françesku në Koloseun e Romës të Premten e Madhe, në një ceremoni të eklipsuar nga lufta në Ukrainë.

Ishte hera e parë që prej shpërthimit të pandemisë, që procesioni tradicional që shënon ditën e kryqëzimit të Jezu Krishtit, u mbajt në monumentin simbol të Romës.

Papa, i cili vazhdimisht ka dënuar konfliktin në Ukrainë dhe ka bërë thirrje për armëpushim gjatë Pashkëve, u lut që kundërshtarët të shtrëngojnë duart dhe të falin njeri-tjetrin. 

“Lejo që kundërshtarët të shtrëngojnë duart dhe të ndjejnë faljen reciproke, të çarmatosin dorën e ngritur të një vëllai kundër një tjetri në mënyrë që pajtimi të lulëzojë aty ku tani ka urrejtje”, tha Ati i Shenjtë.

Në mesin e turmës dhe qirinjve shquhej një flamur me ngjyrat verdh e blu të Ukrainës, ndërsa 2 gra ruse dhe ukrainase ishin ndër ato që mbanin Kryqin në secilën prej 14 ndalesave që kujtojnë vuajtjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit.

Por iniciativa e Vatikanit, që simbolizonte gjestin e pajtimit përballë luftës që nisi në 24 shkurt, nuk u mirëprit nga katolikët në Ukrainë. Ata e denoncuan idenë si të papërshtatshme e të parakohshme, duke thënë se nuk merr në konsideratë kontekstin e agresionin rus.

Ambasadori ukrainas në Selinë e Shenjtë tha se ndante shqetësimin e përgjithshëm, ndërsa mediat ukrainase bojkotuan transmetimin e ceremonisë. Reagimi detyroi Vatikanin të hiqte nga programi leximin e një meditimi të shkruar nga dy gratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos