Ndërtimet pa leje në Theth, Rama: Do goditen shkelësit e ligjit. Nuk është aksion, por reformë

Nga Fjorela Beleshi
14 Korrik 2025, 15:02 | Politikë

Thirri në mbledhje ekipin që po mbikqyr dhe analizon punët e Bashkisë së Tiranës, por publikisht vëmendjen e çoi në Theth.

Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike. Ndryshe nga pretendimi i banorëve, ai shprehet se bëhet fjalë për ndërtime pa leje të ngritura për qëllime fitimi, nga persona që nuk janë nga Thethi.

Shefi i qeverisë ia bëri të qartë priftit të zonës që të mos ndërhyjë për të ulur shtetin në dialog me banorët, me pretendimin që objektet e prishura nuk janë trashëgimi e të parëve, por të ngritura gjatë fushatës zgjedhore, shkruan A2.

Rama zbuloi që nuk i kishte dalë ende inati me pronarin faktik të ndërtimit në qendër të fshatit, ndaj të cilit po pret hetimet e policisë.

Jo vetëm kontrollin e territorit, por qeveria pritet të ndërmarrë reforma për ujin e pijshëm dhe trajtimin e plehrave.

Në takimin me dyer të mbyllura, Rama ka kërkuar rifreskimin e administratës së bashkive qendër qarku. Nga ky rregull përjashtim do të bëjë Tirana, e cila procesin e metamorfozës do ta kryejë me ritme të tjera, duke mbajtur në konsideratë specifikën e kryetarit të arrestuar.

Mësohet nga A2 CNN se Kryeministri u ka thënë njerëzve të tij që ky proces është i rëndësishëm pasi pas dy vitesh PS shkon në zgjedhje lokale, edhe pse për kryeqytetin as në këtë takim nuk e ka qartësuar ekipin nëse do ta çojë para kohe në kutitë e votimit.

Gjithashtu, Rama ka urdhëruar Ministrin e Drejtësisë që t’u heqë licencën çdo noteri që u merr para pensionistëve në këmbim të shërbimeve që ofrohen nga E-Albania, duke kërkuar që këtë shërbim ta ofrojnë falas bashkitë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos