Avokatja e Popullit ishte ende e paqartë me procedurën që duhet ndjekur nga ky institucion lidhur me aksionin e ndërmarrë në Theth.
Edhe pse fillimisht pohoi se është ngritur një grup pune për të verifikuar mënyrën e ndërhyrjes nga IKMT, Erinda Ballanca tha se në rastin në fjalë nuk ka pasur ankesa nga qytetarët ndaj dhe nuk ka nisur një verifikim.
"Avokati i Popullit duhet të bëjë një hetim të plotë për të verifikuar edhe problematikat e qytetarëve, por edhe qëndrimin e organeve përkatëse. Nuk dalim me deklarata të menjëhershme individuale. Nëse verifikojmë se ka një çështje e cila mund të përbëjë shkelje të të drejtave të njeriut ne mund të nisim një rast me iniciativë. Por në rastin konkret do të duhet që qytetarët të na japin të drejtë, të na thonë që ‘po jam dakord ta ndiqni rastin tim’.
Në Theth nuk kemi një ankesë, do të duhet që qytetarët të bëjnë një ankesë. Kemi nisur një rast për këtë çështje, por do të duhet që ekipi ynë të shkojë në terren. Është çështje fazash dhe etapash, nuk kemi shkuar ende në terren, por do të shkojmë.
Ne do të dalim në një qëndrim. Paraprakisht në verifikimin e parë duket në pamje të parë, që mund ketë, kur them mund do të thotë që nuk kemi pasur shkaqe për të kuptuar që ka një problematikë të tillë. Avokati i Popullit nuk mbështet ndërtimet pa leje", tha Ballanca. (A2 Televizion)