Burg për shoferët që parkojnë “dysh”? Ekspertët kundër: Në qeli vetëm problematikët, të tjerët gjoba të rënda

Nga Xhensila Kodra
14 Korrik 2025, 15:06 | Kronikë

Dënimi deri në 3 vite burg për drejtuesit e mjeteve që parkojë dysh në rrugë duke bllokuar qarkullimin rrugor, për ekspertët është një vendim i gabuar. Ata thonë se duhet rritur masa ndëshkuese e gjobës. Eksperti Islam Qibini thekson se ndaj kësaj kategorie shkelësish duhet të ketë ndryshime ligjore, ndërsa sugjeron rastet se kur një parkim dysh mund të përbëjë kundërvajtje penale.

“Në qoftë se kemi parkime dyshe problematike, e sidomos disa drejtues mjetesh që parkojnë mbi vijat e bardha, mbi trotuar ose tek vendqëndrimi për autobusë ose ku janë parkimet për invalidët, në këto kundërvajtje duhen rishikuar sanksionet. Duhet të rritet gjoba ose bllokim i automjetit në pikën e bllokimit”, thotë për A2 CNN, Islam Qibini, ekspert i sigurisë.

Ndërsa eksperti Artur Sulçe thotë se ndjekje penale dhe dënim me burg mund të aplikohet vetëm ndaj atyre drejtuesve që shkeljet që bëjnë janë të rënda dhe përsëritëse. “Gjobat kanë një hierarki. Nëse dikush e bën për herë të parë ka sanksionin që merret, e përsëriti për herë të dytë apo për të tretë, atëherë ai kthehet që mund të aplikosh këto masa. Të rritet penaliteti dhe të përafrojmë legjislacionin me atë të Bashkimit Europian”, thotë Sulçe.

Deri më tani, secili efektiv i Policisë që ka konstatuar një drejtues mjeti që ka parkuar në mënyrë të parregullt në rrugë apo dysh, është gjobitur me masë ndëshkuese nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë të reja, sipas asaj që parashikohet në Kodin Rrugor. Por tashmë, çdo shkelës rrugor që parkon dysh në rrugë duke bllokuar qarkullimin e mjeteve të transportit, çështja do të referohet në prokurori, sipas nenit 293 të Kodit Penal, që parashikon gjobë deri në 3 vite burgim. Ky ashpërsim që do të vihet në zbatim u bë pak ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Por, deri më tani mësohet se nga Policia Rrugore nuk është aplikuar ky vendim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos