Shembjet në Theth, Berisha: Rama u soll si pushtues, banorët të dëmshpërblehen

Nga Anesti Barjamemaj
14 Korrik 2025, 15:11 | Politikë

Akte dhune dhe terrori i konsideron Sali Berisha ndërhyrjet e autoriteteve shtetërore në Theth ku sipas IKMT janë shembur rreth 70 godina pa leje. Nga selia blu, kryedemokrati mori në mbrojtje banorët e Thethit dhe shprehet e Kryeministri Edi Rama është armik i tyre. 

“Edi Rama është sjellë me Thethin njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu. Është sjellë me Thethin dhe dukagjinasit si një pushtues i egër”.

Sipas tij askush në këtë zonë nuk ka zaptuar tokë, por çdo ndërtim është bërë në tokën e të parëve, ndaj ka një thirrje për shtetin që të dëmshpërblejë të gjithë ata që sot pa pronat e tyre. 

“Dënoj me forcën më të madhe aktet e terrorit shtetëror, krimit shtetëror të kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndërprerjen e këtij terrori. Dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura, të premtuara se do legalizohen nga Edi Rama”.

I pyetur për sjelljen e kryebashkiakëve demokratë në takimin e zhvilluar me kreun e qeverisë gjatë javës së shkuar në Durrës, Berisha pohoi se qëndron krah tyre dhe i përgëzoi për qëndrimet e mbajtura në kundërshtim të kreut të qeverisë.  Pohon se askush prej tyre nuk do zbatojë urdhrat e Ramës, por shton se as direktivat nga partia nuk janë parësore për ta. 

“Kryetarët e Bashkive të djathta, qëndrimin e tyre duhet ta bazojnë në kushtetutën dhe ligjet e kartën e autonomisë, aspak në udhëzimet e partisë. Kushtetuta, Karta Europiane e Autonomisë Lokale dhe ligji për qeverisjen vendore, mbizotërojnë mbi udhëzimet partiake”.

Ndërkohë vetë kryetarët e bashkive të djathta kanë informuar edhe Këshillin e Evropës dhe Kongresin e Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, pasi sipas tyre Rama po shkel jo vetëm ligjet vendase por dhe konventat ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos