Konflikti institucional mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, pas dy vendimeve të injoruara nga parlamentarët e mazhorancës për çështjen Xhaçka, ishte në qendër të vëmendjes gjatë një tryeze të mbajtur në Tiranë. Kryetarja e trupës Kushtetuese, Holta Zaçaj, i përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë kryeparlamentares Elisa Spiropali, duke theksuar se vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme dhe jo opsionale për zbatim nga Kuvendi.
Jashtë sallës, Zaçaj shpjegoi përse ftoi në aktivitet drejtues të institucioneve që nuk respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si në rastin e Kuvendit. “I ftuam institucionet sepse nuk jemi në kohë ndasie, por duhet dialog. Mesazhet e mia i dhashë: vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme”, tha ajo, shkruan A2 CNN.
Gjatë bisedimeve, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, deklaroi se Kuvendi ka një marrëdhënie të ngushtë me Gjykatën Kushtetuese, por nuk dha përgjigje konkrete kur u pyet nga gazetarët për moszbatimin e vendimeve të saj.
Në tryezë ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, teksa raportet e Brukselit përcjellin me shqetësim injorimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por edhe duhet të duket që po jepet. Drejtësia duhet të arrijë te qytetarët, duhet ta kuptojnë, të kenë besim. Dhe vetëm duke pasur këtë besim mund ta shohim integrimin në BE si një mundësi për të arritur më shumë. Për këtë, çdo hap ka rëndësi. Çdo përpjekje që bëjnë gjykatat kontribuon për këtë vizion”, tha Silvio Gonzato.
Në aktivitet u prezantua edhe vëllimi i dytë i “Udhërrëfyesit të Gjykatës Kushtetuese”, i cili përmbledh standardet dhe jurisprudencën mbi ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese. Publikimi synon të forcojë kulturën kushtetuese dhe shtetin e së drejtës në vend. (A2 Televizion)