Rudina Hajdari në Dita Jonë, nga Reforma Zgjedhore te dënimi për Salianjin

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2019, 10:40 | Politikë
Rudina Hajdari në Dita Jonë, nga Reforma Zgjedhore te dënimi

Deputetja Rudina Hajdari, bashkëkryetare e komisionit për Reformën Zgjedhore, ishte e ftuar mëngjesin e sotëm në “Dita Jonë” ku foli për reformën zgjedhore, por edhe për ligjin e ri për mediat e çështje të tjera të aktualitetit politik në vend.

Ajo u shpreh se në komisionin për reformën zgjedhore priten zhvillime të reja. “Do të kemi një propozim konkret që do të vijë sot në lidhje me ndryshimin e sistemit. Ne presim që të kemi zhvillime shumë të reja në këtë komision, i cili do të jetë shtytja kryesore në lidhje me ndryshimin e sistemit. Kjo do të jetë një fitore. Në fillim Rama tha se do të ketë dy faza, por kjo nuk ndodhi. Deri në dhjetor tha se do të kemi implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por unë thash se do të kemi dy procese paralele. Rekomandimet dhe të angazhuar edhe shoqërinë civile dhe në fakt kjo ka ndodhur. Shoqëria civile shihet me cinizëm, por ka një frymë të re. Ne po mundohemi të angazhojmë të gjithë faktorët. Ajo që duam ne është të mos biem në të njëjtën metodë që i bije për shtat vetëm politikës. Ne kërkojmë të kundërtën”.

“Frikë” për marrëveshje të fshehtë mes PD dhe PS

“Kam parasysh marrëveshjen e 2008-ës, marrëveshjen e 2017-ës. Kam parasysh shumë raste të tjera kur kjo ka ndodhur. Në momentet e fundit, për çështje të ndryshme, kemi pasur dy apo tre persona që janë ulur dhe kanë bërë një marrëveshje. Janë pikërisht këto marrëveshje që e kanë dëmtuar Shqipërinë. Ka sinjale për një gjë të tillë. Kemi një opozitë që është jashtë që kërkon të marrë pjesën e saj në këtë proces. PD dhe LSI janë një aset i vyer, duhet të jenë pjesë e procesit, por duhet të jenë transparent dhe të mos bëjmë show politik”.

“PD nuk e pranon dot opozitën në Parlament”

“U bë gati një vit nga djegia e mandateve dhe mendoj se është një kohë e mjaftueshme që opozita jashtë parlamentit të reflektojë dhe të pranojë realitetin ku ndodhet vendi, për të parë se duhet ecur përpara, për të bashkuar opozitën”.

Një koment për dënimin me burg për Salianjin

“Më erdhi shumë keq. Unë e kontaktova dhe i thash se e bën më të fortë dhe tregon se ai po bëhet një politikan i fortë. Kjo tregon se ai po bëhet më i fortë dhe s’ka për ta dëmtuar fare”.

Ligji i ri për mediat

“Kjo luftë ka qenë për ju gazetarët. Ai ka një vit që e shtyn këtë paketë dhe refuzon çdo rekomandim që i ka dhënë BE-ja. Drafti i parë fare tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë. Ai tregon se ata kërkojnë t’u mbyllin gojën të gjithë atyre që i kritikojnë. Shumë politikan financojnë dikë për të shkruar për aktivitetin e tyre në politik. Shumë prej këtyre portaleve financohen nga politika, por edhe nga rrjetet kriminale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos