Ushtria ruse ka spostuar pranë kufirit me Ukrainën, një nga armët e saj më të përparuara, raketat Iskander.
Sipas burimeve ukrainase, raketat me rreze deri në 400 kilometra janë grumbulluar rreth 60 kilometra nga kufiri, në rajonin e Belgorod ku shihet edhe një shtim të trupave.
Raketat Iskander, që në kodin e NATO-s emërtohen si SS-26 Stone, kanë zëvendësuar raketat SCUD të Bashkimit Sovjetik dhe janë përdorur në fushëbetejë për herën e parë në vitin 2008, gjatë konfliktit me Gjeorgjinë.








Këto raketa kanë karakteristika që përbejnë një rrezik për çdo mbrojtje kundërajrore, sepse fluturon në lartësi të ulëta dhe ka një përpikmëri të lartë jo më shumë se 5 metra në një objektiv deri në 500 kilometra.
Ndërkohë, shtohen zërat për një referendum për pavarësinë në rajonin jugor të Kherson, i pushtuar nga forcat e Moskës.
Referendumi shihet si mjet i nevojshëm për të justifikuar sulmin e Kremlinit jashtë zonave të Donbasit, që mund të justifikojë një shtrirje të mëtejshme drejt Odesës dhe bashkimin me zonat e pavarura të Moldavisë, nën kontrollin rus nga rënia e Bashkimit Sovjetik dhe që përbëjnë Transnistriën. (A2 Televizion)