Rusia godet infrastrukturën kritike, 80% e Kievit pa energji elektrike

Nga A2 CNN
31 Tetor 2022, 15:09 | Bota
Rusia godet infrastrukturën kritike, 80% e Kievit pa energji elektrike

Një tjetër javë nis mes sulmeve e bombardimeve në Ukrainë. Rusia shënjestroi infrastrukturë kritike rreth vendit, duke lënë pa ujë rreth 80 për qind të kryeqytetit Kiev dhe pa energji të paktën 350 mijë banesa. Dy shpërthime u raportuan në kryeqytet.

“Specialistët po bëjnë të pamundurën për të rikthyer ujin në apartamente për banorët e Kievit”, tha Vitaliy Klitschko.

Infrastrukturë kritike u godit edhe në qytetin verilindor të Harkiv, në rajonin e Vinitsia dhe Zaporizhia. Në Dnipro, rusët shënjestruan një hidrocentral. Forcat e mbrojtjes ajrore në Kiev thanë se kishin rrëzuar 44 nga 50 raketa kruz të lëshuar nga Moska.

“Mëngjesin e 31 tetorit, Rusia lëshoi një seri sulmesh me raketa kundër infrastrukturës kritike në Ukrainë. 18 raketa kruz u rrëzuan nga Forcat e Mbrojtjes Ajrore, 13 nga Komanda Operacionale Jugore, 9 nga ajo Lindore dhe 5 nga Komanda Operacionale Perëndimore”, tha Forcat e Mbrojtjes Ajrore, Ukrainë.

Vala e re e agresionit vjen pasi Rusia fajësoi Ukrainën për një sulm me dron ndaj flotës së saj të Detit të Zi, në gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Një luftanije në qytetin-port të Sevastopolit u dëmtua në një sulm me dron, që sipas Rusisë, ishte kryer nga ushtarë ukrainas të trajnuar nga specialist britanikë. Ukriana nuk ka komentuar, ndërsa Londra foli për gënjeshtra të nivelit epik. Ngjarja shtyu Moskën të njoftojë tërheqjen nga ujdia për eksportin e drithërave nga Ukraina. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, që ka ndërmjetësuar për marrëveshjen, tha se do të vijojë përpjekjet për t’i shërbyer njerëzimit, pavarësisht hezimit të Moskës. Ekipet turke dhe të OKB-së rinisën inspektimet sipas ujdisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos