Rusia ndalon furnizimin me gaz në Poloni dhe Bullgari

Nga A2 CNN
27 Prill 2022, 07:12 | Bota
Rusia ndalon furnizimin me gaz në Poloni dhe Bullgari

Gjiganti rus i energjisë Gazprom thotë se ka ndërprerë të gjitha furnizimet e gazit si në Bullgari ashtu edhe në Poloni pasi të dyja vendet refuzuan të fillojnë të paguajnë për furnizimet në rubla.

Më herët, ofruesit polakë dhe bullgarë të energjisë thanë se kishin marrë njoftime zyrtare nga furnizuesi rus i gazit se dërgesat do të ndërpriteshin.

Kompania shtetërore polake e gazit natyror PGNiG kishte thënë të martën se Rusia do të ndalonte dërgimin e gazit në vend.

PGNiG mbështetet në gjigantin rus të gazit Gazprom për shumicën e importeve të tij.

Firma ruse e energjisë Gazprom kishte justifikuar pezullimin e furnizimit me rregullat e reja të pagesës të shpallura më 31 mars, të cilat thonë se "vendet jomiqësore" duhet të paguajnë për gazin rus në rubla. Por PGNiG ka refuzuar të paguajë në monedhën ruse.

Kompania polake tha se nuk kishte shqetësime të menjëhershme për furnizimin. Kërkesa është gjithashtu më e ulët me ardhjen e verës në vend. PGNiG tha se depoja e saj nëntokësore e gazit ishte pothuajse 80% e mbushur.

Bullgaria kishte thënë gjithashtu më herët se Rusia do të ndalonte furnizimet, por nuk kishte qartësi nëse vendi kishte ndaluar marrjen e gazit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos