
Presidenti rus, Vladimir Putin ia ka bërë të qartë sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres se pa një marrëveshje për rajonet e Krimesë dhe Donbasit nuk është e mundur firmosja e një garancie për paqen në Ukrainë.
Gjatë takimit që dy liderët zhvilluan në Moskë, Putin i tha Guterres se Rusia nuk është përgjegjëse për pamjet e ofruara nga mediat për masakrën në Bucha.
“Jemi në dijeni se kush e organizoi provokimin në Bucha. Ushtria ruse nuk ka të bërë fare me atë që ka ndodhur në këtë qytet”, tha Putin.
Në një njoftim zyrtar për këtë takim kaq të rëndësishëm, zëdhënësi i OKB bën me dije se Putin pranoi në princip përfshirjen e OKB dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në evakuimin e civilëve nga metalurgjiku i Azovstal dhe qyteti i Mariupolit.
"Diskutimet do të zhvillohen me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare dhe Ministrinë e Mbrojtjes Ruse," shtoi zëdhënësi i OKB-së Stéphane Dujarric.
Gjithashtu, mësohet se presidenti Putin ka deklaruar se negociatat me Ukrainën do të vijojnë në formatin online, duke shtuar se ka ende mundësi për arritjen e një zgjidhje diplomatike.
Putin tha se bisedimet e fundit në Stamboll kishin shënuar një përparim, por ai sugjeroi se ato ishin cenuar pas raporteve për mizori kundër civilëve në qytetin ukrainas Bucha. (A2 Televizion)