
Forcat ruse po rigrupohen, por ato nuk janë në gjendje të avancojnë askund në Ukrainë. Pohimi vjen nga qeveria e Kievit që saktëson se pushtuesit po përpiqen të përforcojnë pozicionet që kanë aktualisht nën kontroll. Në njoftimin e fundit, ushtria ukrainase shkruan se Rusia ka tërhequr ushtarët me të cilët rrethonte Kievit, pasi mori humbje të konsiderueshme.
Gjithashtu ka larguar trupat e saj nga një qytet pranë Çernobilit duke i dërguar në Bjellorusi, aty ku Moska po transporton raketa “Iskander”. Inteligjenca ukrainase thotë se presidenti rus, Vladimir Putin, po shqyrton opsionin e ndarjes së Ukrainës më dysh, njëjtë si modeli i Koresë së Veriut dhe Jugut. Kjo pas dështimit të operacioneve përreth Kievit dhe për faktin se tani është epamundur për ushtrinë e Moskës që të rrëzojë qeverinë ukrainase. Gjenerali Kyrylo Budanov, që drejton agjencinë e inteligjencës ushtarake, tha se lufta e Putinit është fokusuar tani në Jug dhe lindje të vendit.
Pavarësisht këtyre lëvizjeve strategjike, luftimet nuk kanë munguar. Këshilltari i presidentit Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se ushtria ruse vijoi me sulmet raketore në të gjithë vendin. “Rusia nuk ka më humanitet, civilizim. Vetëm raketa, bomba dhe tentativa për të zhdukur Ukrainën nga faqja e dheut”, tha Mikhail Podolyak. Në 24 orët e fundit, forcat ruse kanë bombarduar rajonin e Kharkiv për më shumë se 200 herë me disa lloje raketash e armësh, përfshirë ato të ndaluara.
Njoftimi vjen nga forcat e armatosura ukrainase që theksojnë se kanë kundërsulmuar në disa zona. Qeveria e Kievit njoftoi se gjatë ditës së sotme nuk do të ketë korridore humanitare për arsye sigurie, nga frika se ushtria ruse mund të qëllonte ndaj civilëve gjatë rrugëve të evakuimit. Vijon situata e rëndë në Mariupol, aty ku mbi 160 mijë banorë kanë mbetur prej javësh pa ushqime, ujë dhe ilaçe.
Kryqi i Kuq nuk po arrin të depërtojë rrethimin rus për të ndihmuar civilët. Ndërsa autoritetet lokale paralajmërojnë se qyteti port është në prag të një katastrofe humanitare dhe duhet të evakuohet plotësisht. Që prej nisjes së luftës, 143 fëmijë dhe mbi1 mijë civilë kanë humbur jetën në Ukrainë. Ushtria e Kievit pretendon se ka vrarë rreth 17 mijë ushtarë rusë dhe shkatërruar mijëra mjete luftarake, përfshirë tanke dhe avionë. (A2 Televizion)