Rusia urdhëron forcat ukrainase në Mariupol të dorëzohen

Nga A2 CNN
17 Prill 2022, 08:55 | Bota
Rusia urdhëron forcat ukrainase në Mariupol të dorëzohen

Rusia urdhëron forcat ukrainase që ende po mbrojnë qytetin e rrethuar të Mariupolit që të ulin armët. Ultimatumi vjen teksa Moska vazhdon sulmin e saj të pamëshirshëm dhe shkatërrues në qytetin juglindor. Media “Ria Novosti”, duke cituar ministrinë ruse të Mbrojtjes, raportoi se “pa përjashtim” të gjitha “njësitë e armatosura ukrainase dhe mercenarët e huaj” duhet të dalin “pa asnjë armë dhe municion”.

Rreth 100,000 njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol dhe rrethinat e tij të afërta, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky, situatën në qytetin port e konsideroi çnjerëzore. Ai paralajmëroi sërish që Rusia mund të përdorë armë bërthamore.

“Nuk duhet të presim që Rusia të përdorë armët e saj bërthamore. Bota nuk duhet të presë, por duhet të përgatitet për këtë në një sërë mënyrash, jo vetëm të përgatitet me bunkerë. Por duhet të flasin me ta, të nënshkruajnë një dokument, për të shtrydhur ekonominë e tyre që as të mos e mendojnë”.

Zelensky nënvizoi se sulmi i pandërprerë i Rusisë në qytetin e Mariupolit dhe zbulimi i mundshëm i më shumë krimeve kundër civilëve do t'i bëjnë të pamundura bisedimet e mëtejshme diplomatike.

“Kur lufta të ketë mbaruar, ne mund të mendojmë për diplomacinë. Ata duan ta zgjidhin problemin në rrugë diplomatike, kur ka luftë, është shumë e vështirë. Kjo është arsyeja pse ata duan të marrin disa nga territoret tona, për t'i pushtuar më shumë, për të pasur një presion të tillë. Atëherë nuk bëhet fjalë për diplomaci, pra pse po takohemi?”

Sakaq, bombardimet ruse kundër Kievit nuk ndalen. Autoritetet lokale njoftuan se të dielën në mëngjes u shënjestrua një zonë në periferi të kryeqytetit duke shkatërruar disa pjesë të infrastrukturës jetike që mund të sjellë ndërprerje në furnizimin me energji dhe ujë. Luftimet janë intensifikuar në Ukrainën lindore, ku Rusia ka përqendruar forcat e saj javët e fundit.

Zyrtarët në rajonin e Luhanskut kanë raportuar bombardime të vazhdueshme të qyteteve duke përfshirë Kreminna dhe Lysychansk. Ndërkohë, situata në rajonet jugore të Mykolaiv dhe Kherson të Ukrainës është “gjithnjë e më shumë armiqësore” pas fundosjes së një luftanijeje ruse në Detin e Zi.

Ndërkaq disa dërgesa ndihme ushtarake nga SHBA kanë filluar të mbërrijnë në Ukrainë, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë të cituar nga CNN.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti Joe Biden miratoi një ndihmë ushtarake shtesë në vlerë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën. Ai tha se mbështetja do të përfshijë armë të reja të përshtatura për të luftuar "sulmin më të gjerë" të pritshëm të Rusisë në lindje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos