
Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për një aferë korruptive gjatë një tenderi në OSHEE, kanë çuar në pranga një zyrtar të lartë të institucionit dhe shpallur në kërkim ish-shefen e kabinetit.
Me urdhër të Gjykatës së Posaçme, policia arrestoi shefin e prokurimeve, Elis Bushati. Masë sigurie “arrest në burg” ishte caktuar edhe për ish-zyrtaren e lartë, Albana Ferraj, por policia nuk mundi ta gjejë atë në banesë. Referuar sistemit TIMS, e dyshuara rezulton të mos jetë në Shqipëri.
Sipas SPAK, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në vitin 2016 ata kanë favorizuar një kompani italiane me seli në Milano për një tender shërbim-konsulence me vlerë 138 milionë lekë.
Hetimi ka ngritur dyshime se ish-shefja e kabinetit të OSHEE, Albana Ferraj, gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi ka marrë përfitime të parregullta në shumë 133 mijë e 880 euro për të favorizuar kompaninë italiane.
Sipas prokurorisë, me qëllim marrjen e kësaj shume të pretenduar si ryshfet, e dyshuara Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë që fitoi tenderin duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri. Ferraj akuzohet nga SPAK për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, ndërsa tre zyrtarët e tjerë për “shkelje të barazisë në tendera”. (A2 Televizion)