Afrika e Jugut njoftoi përhapjen e një varianti të ri dhe shqetësues të Covid-19, në fund të nëntorit, ndaj menjëherë shkencëtarët nisën kërkimet e tyre. I emëruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si Omicron, ky variant po shihej si një nga format më të këqija të familjes së koronavirusit.
Si fillim, shkencëtarët nuk ishin shumë të sigurt se sa ndryshonte Omicron nga mutacionet e tjera, dhe veçanërisht nga ai super-dominant Delta. Sipas tyre, do të duhen javë të tëra testimesh dhe analizimesh, për të parë se çfarë rreziqesh të shtuara mund të ketë mutacioni Omicron.
Studiuesit do të testojnë mostrat e marra nga pacientët, për të parë nëse ky variant çon në sëmundje më të rënda, si dhe për të vërtetuar nëse njerëzit e vaksinuar janë plotësisht të mbrojtur, apo jo. Ky lloj testimi në jetën reale mund të zgjasë me muaj.
"AstraZeneca tashmë po kryen kërkime në vendet ku është identifikuar varianti dhe kjo do të na mundësojë të mbledhim të dhëna", tha një zëdhënës i prodhuesit të vaksinave. Pfizer dhe partneri i saj BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson, gjithashtu, thonë se po fillojnë eksperimentet dhe testimet për të parë rreziqet reale të Omicron. (A2 Televizion)