
Biznesi vë në lëvizje ekonominë, hap vende pune, investon dhe paguan taksa. Si është gjendja e kompanive sot në Shqipëri, teksa qeveria pretendon për rritje ekonomike 4%?
“Problemi më i madh, në mendimin tim, është implementimi i atyre ligjeve që ne kemi dhe zbatimi i tyre i drejtë në terren, qoftë nga administrata tatimore, qoftë edhe nga gjykatat. Nëse nuk ofrojmë dot një siguri, nëse nuk lehtësojmë dot procedurat, qoftë edhe procedura burokratike, për të mundësuar biznesin të ecë përpara, mendoj se kjo ka për të na bërë të ecim me frena”, shprehet partneri i Deloitte, Olindo Shehu.
Ai cilëson gjithashtu si një problematikë kyçe edhe mungesën e orientimit të sipërmarrjes drejt investimeve. “Nuk them që qeveria duhet t’i marrë për dore kompanitë dhe t’u tregojë se çfarë duhet të bëjnë, por një orientim strategjik se ku duhet të fokusohen, për të bërë ato investime që duhet të bëjnë, është i nevojshëm”.
Sipas drejtuesve të Deloitte, që janë në kontakt me kompanitë kryesore hapa përpara janë bërë, por na duhet të vrapojmë. (A2 Televizion)