
Pas dënimit me 1 vit burg, Ervin Salianji tha se vendimi ishte bërë gati kohë përpara. “Ishte bazuar vetëm në dëshirën politike të Kryeministrit dhe një dëshire për karrierë për një gjyqtar anëtar të bandave të Lushnjës, që i shërben vetëm karrierës së vet për të hyrë në rrugën e politikës me PS e për t’i shërbyer shokëve të vet”, tha ish-deputeti i PD.
Salianji tha se Gjermeni nuk duhet të kishte gjykuar fare çështjen e tij. “Po ky gjyqtar, në një çështje timen të mëparshme me një përfaqësues të PS është tërhequr për konflikt interesi ndërkohë që kemi kërkuar tri herë përjashtimin e tij, por ka qëndruar për t’i shërbyer partisë”, u shpreh ai.
Salianji shtoi gjithashtu se vendimi e motivon më shumë për të vazhduar denoncimet. “Ky nuk është kërcënim për burgosje, por kërcënim për karrierën politike të kujtdo. Së pari është apelimi dhe ndjekja hap pas hapi në çdo instancë gjyqësore e deri në Strasburg, që të zbulohet e vërteta. Gjyqtari sot i ka bërë shërbim jo vetëm PS, por edhe bandave”, tha ai. (A2 Televizion)