
Këshilli Atlantik bëri bashkë në një Samit virtual 6 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Hapat që do të ndërmerren për të ndihmuar rajonin të dalë nga ndikimi shkatërrues i COVID-19 me mundësi më të mëdha të zhvillimit ekonomik, ishte në fokus të këtij samiti.
Kryeministri shqiptar Edi Rama në fjalën e tij foli për një plan-veprimi konkret, ndërsa i kujtoi partnerëve se duhet të mbajnë premtimet për ndihmë financiare sa më parë.
“Ne na duhet një plan praktik për rimëkëmbjen e rajonit, që do të sjellë rezultate konkrete. Të implementohet dhe të ketë monitorime më të qarta. Dhe kur them monitorime, si nga ne udhëheqësit e rajonit, ashtu edhe nga partnerët tanë që janë së bashku me ne. Ata duhet të jenë më të shpejtë, kur bëhet fjalë për të përmbushur çfarë kanë premtuar lidhur me ndihmat financiare”, deklaroi Rama në samit.
Në samit u rimor edhe diskutimi mbi nismën e Shengenit ballkank. Kreu i qeverisë shqiptare u sigurua të qartësojë bashkëbiseduesit se ajo nuk është një nismë që konkurron ato ekzistuese apo Bashkimin Europian, drejt së cilit aspirojmë të bëhemi pjesë.
“Nuk është një nismë konkurruese, por thjesht për të përparuar dhe t’i japim dhe të marrim më shumë përgjegjësi për veten tonë, jo duke anashkaluar partnerët, por duke mos nënvlerësuar potencialin e vetë rajonit tonë”, vijoi kryeministri.
Kryeministri i Kosovës nga ana e tij tha se ka pasur shumë angazhim për rajonin, por ka ende një numër të madh çështjesh që duhen adresuar dhe barriera që duhen zgjidhur. Ndaj sipas tij rajoni mbetet i fragmentarizuar.
I pranishëm në samit ishte edhe presidenti i Serbisë Aleksander Vucic, i cili tha se duhet të krijohet më shumë besim mes vendeve tona, ndërsa pranoi në samitin e Këshillit të Atlantikut problemet mes Prishtinës dhe Beogradit. “Duhet të punojmë bashkë, sepse nuk ka rëndësi sa të mëdhenj jemi, nëse jemi vetëm, të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka të madhe”- u shpreh Vucic. (A2 Televizion)