
“70 vite më vonë ne mbetemi të palëkundur në përkushtimet ndaj NATO-s dhe mburojës gjigande të solidaritetit, që tashmë mbron 29 vende dhe gati një miliardë njerëz. Fakti se jetojmë në paqe sot dëshmon fuqinë e propozimit të thjeshtë që qëndron në zemër të aleancës; për sa kohë jemi bashkë askush nuk mund të na mundë”...
Me këtë mesazh uniteti, Kryeministri britanik Boris Johnson përpiqet të eklipsojë ndasitë dhe tensionet që po shoqërojnë samitin e posaçëm dy ditor, me rastin e ditëlindjes së 70 të NATO-s. Krerët e shteteve anëtare u mblodhën në një hotel luksoz pranë Londrës në ditën e dytë të samitit. Në fokus të bisedimeve të sotme, janë çështje si sulmet kibernetike dhe sfidat strategjike nga Kina. Dita e parë u shënua nga shkëmbime të tensionuara mes presidentëve të SHBA dhe Francës.
Trump dhe Macron zhvilluan bisedime dypalëshe dhe gjatë konferencës për shtyp u përplasën për rolin e NATO-s, Turqinë dhe luftëtarët e Shtetit Islamik. Edhe mes shteteve të tjera anëtare ka mosmarrëveshje të theksuara për aksionin e fundit ushtarak të Turqisë në Sirinë veriore, shpenzimet ushtarake të anëtarëve dhe komenteve të Presidentit francez Emanuel Macron se NATO është në vdekje klinike.
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg e vuri theksin tek angazhime më të mëdha sa i përket shpenzimeve nga aleatët europianë dhe Kanadaja. “NATO është aleanca më e suksesshme në histori pasi ne kemi ndryshuar ashtu siç ka ndryshuar edhe bota”, tha Stoltenberg.
Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2016, Donald Trump ka qenë një kritik i zëshëm i asaj që e sheh si ndarje jo proporcionale të barrës financiare te aleancës. (A2 Televizion)