
Një lajm shumë të mirë për Kosovën e ka konsideruar anëtarja e kryesisë së PD-së dhe ish-zv.ministrja e Jashtme Edith Harxhi uljen me të drejta të barabarta të Kosovës në tryezën e samitit të Pragës, ku merrnin pjesë udhëheqësit e më shumë se 40 vendeve evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe BE-në, Turqinë, Norvegjinë dhe Ballkanin Perëndimor. Në intervistën me Merita Haklajn ajo tha se kjo është fitorja më e madhe në vitin 2022 që tregon se Kosova trajtohet si e barabartë.
“Samiti i Pragës është nismë e rëndësishme për Europën, ishte vetmja mënyrë për të mbledhur të gjithë aktorët politikë nga më të mëdhenjtë tek më të vegjël. Është lajm i gëzueshëm për Edi Ramën. Për mua ishte një ditë shumë e mirë se për herë të parë pashë Kosovën të ulur me të drejta të barabarta në një njëjtën tryezë me të gjithë aktorët politikë europianë. Kjo ishte fitorja më e madhe që kemi korrur në 2022. Qenia e Kosovës me të drejta të barabarta me të gjithë liderët europianë tregon që Kosova trajtohet si e barabartë. Për ne ishte ditë e shënuar që u ul Kosova si e barabartë”.
Sipas saj ky është një lloj formatimi dy klubesh i BE-së, por thekson se vendet e Ballkanit duhet të shohin nga vetja para se të shohin nismat e ndërmarr nga Macron.
“Fakti që Britania e madhe në deklaratën që ka bërë ka theksuar se cili do të jetë qëllimi i komunitetit politik europian. Kjo kishte si qëllim që të sillte këto vende që nuk kanë mundur të integrohen një lloj formatimi dy klubesh të BE. Është i lidhur me krizat dhe strategjitë e rreziqet që vijnë nga lindja dhe terrorizmi. Shihet një lloj rivaliteti mes kësaj dhe BE. Mendoj që shtete e Ballkanit duhet të shohin nga vetja para se të shohin se çfarë nismash merr presidenti Macron. Ne nuk i kemi bërë detyrat ende. Kemi probleme të mëdha në shumë fusha dhe varet me kë do të fillojmë”.
Duke folur për dialogun Prishtinë-Beograd, Harxhi kritikon Brukselin për mos reagim kur Serbia pengon negociata, ndërsa e akuzon këtë të fundit që luan me dy porta për interesat e saj. Keqardhje shprehu edhe për kryeministrin Rama që mbështet Serbinë.
“SHBA kanë qenë në vijueshmëri për dialogun Kosovë-Serbi, BE ka pasur luhatje të herëpashershme. Nuk shoh veto për Serbinë, nëse Serbia nuk ulet të diskutojë çështjet e dialogut duhet t’i ngrihen apo ndërpriten negociatat. Nuk mund të luajë me dy porta sa herë ka interes të shkojë drejt BE dhe interesin kryesor e ka me Rusinë. Me vjen keq retorika e kryeministrit shqiptar që ka dalë shpesh në mbrojte të Serbisë”.
Sa i përket asosacionit të komunave serbe në veri, Hazrxhi thekson se Kurti nuk ka asgjë për të toleruar, teksa kujton që ndryshimin e kufijve në 2012 e shpëtuan patriotët shqiptarë këtej dhe andej kufirit.
“Në 2012 kur u diskutua shkëmbimi i kufijve erdhi si pasojë e patriotëve shqiptarë në Kosovë e Shqipëri. Nëse ne nuk do të kishim reaguar në atë kohë njëzëri që kjo binte në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe Ballkanit jam e sigurt që do të ishte një projekt që do të shtyhej në kohë. Se po shihja lëvizje që Rama e Thaçi në atë kohë ishin shprehur pro këtyre ndryshimeve. Sot e kemi tejkaluar këtë rrezik, nuk ka asnjë koncesion që Kosova do të japë dhe mund të japë. Nuk ka asnjë kompromis për kufijtë, kjo është e përfunduar. Nuk mendoj që Kosova ka diçka për të toleruar. Asosacioni dhe manastiri i Deçanit janë çështje të ndjeshme për Kosovën. Kjo ishte një agjendë e përcaktuar nga BE”. (A2 Televizion)