
Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë ka regjistruar kallëzimin ndaj shtetases Tire Alldervishi për kryerjen e veprës penale të "Mashtrimit", e cila dyshohet se sillej si infermiere, ndërsa ishte sanitare në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe i mori 800 mijë lekë vajzës së një pacienteje me Covid-19.
“Në datën 28.11.2020 mamaja e kallëzueses është shtruar te spitali universitar “Shefqet Ndroqi” pasi ka rezultuar pozitive me COVID-19 dhe ka ndërruar jetë po në këtë spital më datë 25.12.2020. Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Kjo shtetase ishte Tire Alldervishi dhe qe më vonë ka marrë vesh se punonte si sanitare në këtë spital. Që në momentin e parë i ka kërkuar një shumë lekësh prej 2000 lekësh që t’i jepte telefonin nënës, duke i thënë që po e bënte për atë edhe pse nuk e kishte parë asnjëherë më përpara. Më pas, ajo i thotë që ta presë në lokal. Kur vjen në lokal i ka thënë, meqënëse infermierët e tjerë nuk lejohen të vijnë në lokal, e ka marrë ajo përsipër duke i kërkuar shumën e lekëve e cila ishte 10 000 për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin. Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që kallëzuesja ka dhënë vetëm 3000 lekë për infermierët dhe 5000 për doktoreshën dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë. Kallëzuesja nuk e dinte a po ja jepnin ilaçet apo jo sepse mamaja e saj i kishte thënë me mesazhe që nuk i japin asgjë nga ato që i sillnim ata.
Shuma e paguar ne total është rreth 800.000 leke te reja pa llogaritur ilaçet që kallëzuesja, sipas instruktimit të Tire Alldervishit, i blinte nëpër farmaci të ndryshme për t’ia dhënë asaj me qëllim që të bëhej mjekimi i mamasë së saj.
Komunikimet ndërmjet Tire Alldervishi dhe kallëzueses janë bërë si verbalisht ashtu edhe nëpërmjet rrjetit te komunikimit WhatsApp.
Është ndaluar shtetasja Tire Alldervishi dhe ndaj saj është depozituar kërkesa e Prokurorisë për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës se sigurisë “arrest në burg”. Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë do të kryejë një hetim të plotë dhe të thelluar për të qartësuar nëse ndodhemi para një rasti sporadik apo para një skemë të mirëfilltë përfitimi nga personeli mjekësor apo ndihmës në kurriz të të sëmurëve me sëmundjen COVID 19, duke mos hezituar të vërë para përgjegjësisë penale këdo që do të rezultojë i implikuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në emisionin “Stop” janë transmetuar pamjet për ngjarjen e ndodhur. (A2 Televizion)